“Farsa e 14 majit” dhe raporti i OSBE/ODIHR, Berisha: Me Ramën nuk ka zgjedhje, thelbi janë protestat e fuqishme

Ish-kryeministri Sali Berisha, nga konferenca e jashtëzakonshme për shkeljet zgjedhore në zgjedhjet e 14 majit theksoi se të gjitha të vërtetat e opozitës janë certifikuar plotësisht nga raporti i OSBE/ODIHR-it.

“Së pari, ne me qytetarët po flasim me të vërteta dhe fakte, të cilat me kënaqësi konstatoj se janë certifikuar plotësisht nga institucioni i pavarur i zgjedhur nga komuniteti ndërkombëtar për të vëzhguar zgjedhjet në të gjithë hapësirën euroatlantike, në të gjithë hapësirën e OSBE-së.

Ne vlerësojmë se, çështjet themelore që paraqiten në këtë libër, në respektin më të madh të mbrojtjes së votës së qytetarëve dhe dënimit të kriminelëve elektoralë, janë pasqyruar në raportin e OSBE/ODIHR.

Asgjë nuk bind më shumë se e vërteta njeriun. Sa i përket çështjes së dytë, pa diskutim PD është në një analizë, do të vazhdojë analizën dhe do i përmbahet me përpikmëri statutit të saj”, u shpreh Berisha.

Më tej ai theksoi se jemi në përputhje me atë që kemi deklaruar për mbrojtjen e votës.

“Ne jemi zotuar përpara shqiptarëve se do mbrojmë votën. Mbrojtja e votës është një proces. Ne kemi pasur parasysh qëndrimin tonë, që votën nuk e mbrojmë me armë, por ky raport ndërkombëtar, i cili pasqyron një për një çështjet më themelore të këtij libri të zi, kushtuar farsës elektorale të 14 majit, në 690 faqe të tij, dhe ju garantoj se do ketë një vëllim tjetër, për disa gjëra që do ua bëjmë të ditur më vonë, por janë të gjithë për mbrojtjen e votës.

Procesi i mbrojtjes së votës nënkupton vërtetimin e dhunimit të saj. Procesi i mbrojtjes së votës nënkupton gjetjen e rrugëve për garantimin e votës së lirë. Pra, në këtë kontekst, ne jemi në përputhje me atë që kemi deklaruar. Duart e tyre janë prerë, janë në këtë raport. Duart e zeza janë në këtë raport dhe vazhdon beteja”, deklaroi Berisha.

Në këtë kontekst, ish-kryeministri u shpreh i bindur se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, dhe thelbi janë protestat e fuqishme në vend.

“Ky raport ka një mesazh për shqiptarët: me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, por ka farsë. Akti i djeshëm në parlament përbënte atentatin më të shëmtuar të narkoshtetit ndaj pluralizmit parlamentar në 32 vite.

Edi Rama tregoi se nuk pranon pluralitetin e vërtetë në parlament dhe në një akt të pashembullt, në mënyrë absolute në asnjë vend tjetër pluralist, merr përsipër t’i caktojë opozitës, përfaqësuesin që don ai.

Siç bëri në zgjedhjet e 14 majit me kryetarin e koalicionit. Të gjitha këto janë çështje thelbësore të cilave opozita duhet t’u përgjigjet dhe do u përgjigjet. Thelbi është me protesta të fuqishme dhe përpjekje të tjera komplekse.

Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, nuk ka pluralizëm parlamentar. Ne do i mbrojmë ato”, deklaroi Berisha.