Presidentja Osmani takon presidentin Macron dhe kryeministrin Sunak

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar sot (e enjte) me homologun e saj francez, Emmanuel Macron, në Samitin e Liderëve Evropianë në Granada të Spanjës.

Osmani ka shkruar në X se ka qenë një takim i rëndësishëm me presidentin francez Emmanuel Macron mbi zhvillimet e fundit të sigurisë në Kosovë dhe angazhimin tonë të përbashkët për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm.

“Theksova rëndësinë e mbajtjes së Serbisë përgjegjëse për aktin e saj të agresionit kundër Republikës sonë”, ka shkruar Osmani. Presidentja Osmani në këtë samit ka takuar edhe kryeministri britanik Rishi Sunak.

Ajo ka shkruar se e ke vlerësuar mundësinë për të informuar kryeministrin Rishi Sunak për situatën e sigurisë në Kosovë pas aktit të agresionit të Serbisë.

“Ne jemi mirënjohës që forcat e Mbretërisë së Bashkuar po na ndihmojnë të mbajmë kufirin tonë të sigurt në mënyrë që të parandalojmë akte të mëtejshme agresioni. Serbia duhet të mbajë përgjegjësi”, shkruan Osmani.

Presidentja Osmani, deklaroi sot (e enjte) se nuk ka arsye për ta takuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç para se të vendosen sanksione, pas agresionit të Serbisë në veri të Kosovës.

Pak para nisjes së një mbledhjeje në Granadë të Spanjës, në kuadër të Komunitetit Politik Evropian, Osmani theksoi se mbështetja e një agresori, për të cilin ka prova të qarta nga 24 shtatori, nuk do të ndihmojë paqen dhe stabilitetin.