Rama dhe Meloni diskutime të shumta, ndër to mundësitë e investimeve
Kryeministri Edi Rama u mirëprit sot nga Kryeministrja e Republikës së Italisë GiorgiaMeloni, në kuadër të vizitës së nivelit të lartë, që po zhvillon në Itali. Takimi kokë me kokë i Kryeministrit Rama dhe homologes italiane Meloni në PalazzoChigi, u pasua nga një takim i përbashkët mes dy delegacioneve respektive.
Miqësia tradicionale Shqipëri-Itali dhe vullneti për të thelluar bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve, ku padiskutim ka një potencial të madh për të bërë shumë më tepër akoma, u diskutua edhe në këtë takim.
Forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve në fushën ekonomike, ishte një tjetër temë e diskutuar gjerësisht në takim, ku Italia si partnere strategjike e Shqipërisë, ka një rol tejet të rëndësishëm në këtë drejtim edhe përmes prezencës gjithnjë në rritje të sipërmarrjeve italiane në vendin tone.
Gjithashtu, gjatë takimit u diskutua mbi mundësitë e investimit që ofron Shqipëria në shumë sektorë potenciale, si energjia, infrastruktura, bujqësia, e veçanërisht turizmi.
Sa i përket integrimit evropian të Shqipërisë, në takim u theksua se Italia do të vijojë të mbështesë fuqishëm procesin, në të gjitha etapat e tij, ashtu si deri më tani.
Deklarata e përbashkët Meloni-Rama nga “Palazzo Chigi”
Kryeministrja Giorgia Meloni ka zhvilluar sot në “Palazzo Chigi” një takim të gjatë dhe të përzemërt me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.
Të dy kryeministrat diskutuan për çështjet kryesore dypalëshe, duke vënë në dukje nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve midis Romës dhe Tiranës në fushën politike, ekonomike, tregtare, kulturore dhe sociale.
Kryeministrja Meloni konfirmoi mbështetjen e bindur dhe të vazhdueshme të qeverisë italiane për rrugën e integrimit europian të Shqipërisë, e cila u njoh dhe u vlerësua plotësisht nga kryeministri Rama.
Meloni dhe Rama ndanë gjithashtu rëndësinë e çdo përpjekjeje për të promovuar procesin e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor.


