Bie ndesh me rregulloret e UEFA-s, FSHF duhet të ndryshojë kalendarin e Kategorisë Superiore

Sektori i Garave në FSHF shumë shpejt do të duhet të ndryshojë kalendarin e ndeshjeve të javës së katërt të Kategorisë Superiore. Shkak për këtë është bërë programimi i gabuar i një ndeshje në këtë javë, më saktësisht asaj mes Teutës dhe Skënderbeut që mendohej se do të mbyllte sfidat. 

Në FSHF kanë planifikuar që dy nga ndeshjet e javës së katërt, Laçi-Vllaznia dhe Teuta-Skënderbeu, të zhvillohen të martën. Sipas planit, kurbinasit presin shkodranët në orën 16:00, ndërsa durrsakët presin ekipin korçar në orën 19:00.

Pikërisht kjo ndeshje e dytë bie ndesh me rregulloret e UEFA-s dhe në teori, nuk duhet të lejohet nga organizata ndërkombëtare e cila për çështje të ngjashme vendos gjoba të majme.

Këtë të martë nisin ndeshjet e Ligës së Kampioneve dhe një nga rregulloret e “shenjta” të UEFA-s saktëson që asnjë kampionat europian nuk duhet të zhvillojë ndeshje në të njëjtin orar me sfidat e këtij turneu për të mos zbehur shikueshmërinë e tij.

Sipas kalendarit, në orën kur në fushën e lojës zbret Teuta me Skënderbeun, do të jenë edhe Milan-Njukasëll dhe Jang Bojs-Lajpcig në turneun më të famshëm për klube në botë.

Kjo sigurisht bie ndesh me rregulloren e UEFA-s dhe bën të detyrueshëm ndryshimin e orarit të ndeshjes së Superiores, për të mos u përballur me sanksione të rënda financiare për FSHF-në si organizatore e turneut.