Rama: Rruga Peshkopi-Maqellarë, në mbështetje të bujqësisë e agroturizmit
Në kantierin e rrugës Peshkopi-Maqellarë, vazhdim i rrugës së Arbrit, punimet po ecin me ritme të shpejta. Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale.
Rama tha se “ky aks i rëndësishëm, vazhdim i rrugës së Arbrit, do të shërbejë jo vetëm për shkurtimin e distancave të lëvizjes së automjeteve, mes fshatrave përreth Dibrës e Tiranës, por edhe për të nxjerrë në pah vlerat e turizmit verior, në mbështetje edhe të bujqësisë e agroturizmit të zonës”.
Investimi do të përmirësojë cilësinë dhe standardet e rrugës që është e kategorisë C2, por nga ana tjetër do të shkurtojë në 9 nga 11 km që është aktualisht rruga Maqellarë-Peshkopi.
Me përfundimin e punimeve rruga nga dalja e Tiranës deri në Peshkopi do të përshkohet për 1 orë, ndërsa do të nxisë fluksin e qarkullimit të vizitorëve dhe turistëve në këtë zonë.
