Vrau me armë 2 vëllezër për 200 mijë euro, arrestohet në Tiranë i dënuari me burgim të përjetshëm
Një shtetas i shpallur në kërkim është arrestuar nga policia e Tiranës.
Eduart Kurti 48 vjeç u arrestua në zonën e ish-fushës së aviacionit. 48 vjeçari ishte i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e 2 vëllezërve.
"I shumëkërkuari nga Policia e Tiranës, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje me dashje, në rrethana të tjera cilësuese. Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimin, në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi të shumëkërkuar nga Policia e Tiranës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "End". Si rezultat i këtij operacioni, në zonën e Ish-Fushës së Aviacionit, ditën e sotme, është lokalizuar, kapur dhe vënë në pranga shtetasi Eduart Kurti, 48 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e ka dënuar me burgim të përjetshëm, për vrasja me dashje, në rrethana të tjera cilësuese, pasi në vitin 2012, në Tiranë, 48-vjeçari, ka vrarë me armë zjarri dy vëllezërit, shtetasit I. H., 44 vjeç, dhe S. H., 41 vjeç." - njofton policia.
Si ndodhi ngjarja?
Një borxh prej 200 mijë dollarësh u bë shkak i një konflikti të zgjatur mes dy biznesmenëve, ku në fund bilanci ka qenë me dy viktima dhe një person të shpallur në kërkim policor.
Hetimi ka treguar se biznesmeni Eduart Kurti, nga Nikla e Krujës, disa kohë më parë u ka dhënë dy vëllezërve Sokol dhe Eglant Haxhialiu një sasi lekësh prej 200 mijë dollarësh, me qëllim ndërtimin e një hoteli në zonën e Dhërmiut.
Kjo sasi lekësh është dhënë duke nënshkruar një deklaratë mes palëve, ku biznesmenët binin dakord që interesi i fitimit të ishte pesë për qind. Marrëveshja është firmosur nga të dyja palët, jo në prani të një noteri apo një avokati, por në kushtet e mirëbesimit, pasi Eduart Kurti dhe Sokol Haxhialiu njiheshin prej disa vite dhe se bënin biznes së bashku.
Mirëpo siç duket, pas dhënies së shumës prej 200 mijë dollarësh, gjërat nuk kanë shkuar aq mirë mes ortakëve, pasi biznesmeni nga Nikla e Krujës, Eduart Kurti, ka filluar të shqetësohet rreth mospagimit të këstit të parave. Palët janë përfshirë në debate të një pas njëshme, pasi dy viktimat nuk kanë pranuar të japin shumën e lekëve.
Nisur nga kjo situatë, mes Sokol, Eglant Haxhialiut dhe autorit të krimit Eduart Kurti, ka pasur një përplasje fizike në zonën e ish-Bllokut, ku banonin dy vëllezërit.
Pas këtij sherri, biznesmenët kanë rënë dakord të ritakohen sërish, ku biseda mes tyre është bërë brenda makinës tip “Mazda”, që drejtohej nga viktima Sokol Haxhialiu.
Vrasja me Miniblow
Pas një bisede që ka zgjatur rreth 30 minuta në ambientet e automjetit me targa TR 9205 S, Eduart Kurti dhe dy vëllezërit Haxhialiu janë përfshirë sërish në debat mes tyre. Sipas deklarimeve të dhëna në polici nga shoku i Kurtit, shtetasi Ardjan Ndreka, Kurti i ka kërkuar t’i marrë me çdo kusht paratë e dhëna dy vëllezërve, pasi kishte mbetur shumë keq nga ana financiare.
Nisur nga kjo situatë, Kurti i ka pohuar se nëse dy vëllezërit nuk pranonin ti jepnin shumën prej 200 mijë dollarësh, atëherë ai nuk do të zbriste nga makina. Kjo, pasi, sipas dëshmisë së Ndrekës, edhe Eduart Kurti kishte probleme me disa borxhe financiare, të cilat ai ua kishte marrë disa personave të tjerë. Nisur nga kjo situatë, ai kërkonte paratë me qëllim mbylljen e borxheve të tjera.
Mirëpo kërkesat e tij të vazhdueshme kanë hasur në këmbënguljen e dy vëllezërve dhe për pasojë, palët kanë filluar të ofendohen dhe përplasur fizikisht. Pikërisht në këtë situatë, Eduart Kurti ka nxjerrë nga xhepi një pistoletë “Miniblow” dhe ka qëlluar në drejtim Eglant Haxhialiun, i cili ndodhej në sediljen e pasme të makinës.
Kanë qenë dy plumba që i kanë hyrë në kokë dhe në qafë, duke i sjellë vdekjen e menjëhershme. Pas dy krismave, arma i është drejtuar vëllait tjetër Sokol Haxhialiut, i cili teksa ishte duke u larguar ka marrë dy plumba një në kokë dhe një në fyt.
Megjithëse me plagë në trup, Sokoli ka mundur të ecë disa metra dhe të rrëzohet, ndërkohë që më pas ka gjetur vdekjen në sallën e reanimacionit të Spitalit Ushtarak. Autori i krimit, Eduart Kurti, është larguar me shpejtësi së bashku me shokun e tij Ardjan Ndreka, që ndodhej në sediljen e pasme të makinës.
Sipas dinamikës së krimit, të ndërtuar nga ana e policisë, autori i krimit ka qenë në sediljen e parë, ndërsa shoku i tij ka qenë prapa, në shoqërinë e Eglantit, ndërsa vëllai i këtij të fundit Sokoli, ka qenë në timonin e makinës.
