Britani, pranga studiuesve të lidhur me sigurinë dhe politikën e jashtme

Dy persona janë arrestuar në Britaninë e Madhe në kuadër të Aktit për Sekretet Zyrtare, pasi spiunonin në favor të Kinës.

Sipas mediave britanike, një nga personat është një i ri rreth të njëzetave, studiues dhe i lidhur me ligjvënësit konservatorë.

Ai dhe një person tjetër, rreth të tridhjetave, u arrestuan në mars, por lajmi për ta u bë i ditur vetëm tani.

Mëngjesin e së dielës, kryeministri Rishi Sunak shprehu shqetësimin e tij për ndërhyrjet e Kinës në politikën britanike.

Një zëdhënës i ekzekutivit deklaroi se kreu i qeverisë ishte takuar me kryeministrin kinez Li Kiang gjatë samitit të G20-s në Indi dhe kishin diskutuar këtë çështje.

Një nga të arrestuarit thuhet se ka pasur lidhje me ministrin e Sigurisë, Tom Tagendat dhe kryetaren e komitetit për punët e jashtme, Alisha Kirns.

Sipas mediave londineze, që citojnë burime pranë Policisë Metropolitane, të dyshuarit u arrestuan njëri në Oksfordshajër dhe tjetri në Edinburg.

Të dy ata u dërguan në një rajon policie në Londër, por më pas u liruan kundrejt garancisë financiare deri në fillim të tetorit.

Çështja po hetohet nga Komanda e Antiterrorit pranë Policisë Metropolitane, që mbulon krimet e lidhura me spiunazhin.