Franca ofron pesë milionë euro ndihmë për OJQ-të në Marok

Franca do t’u japë organizatave joqeveritare (OJQ) në Marok pesë milionë euro (5,4 milionë dollarë) për të ndihmuar vendin të përballet me pasojat e tërmetit të fuqishëm që goditi vendin të premten.

Ministrja e Jashtme, Catherine Colonna i tha transmetuesit BFMTV se ndihma do të kanalizohej te organizatat marokene, ndërkombëtare dhe gjithashtu te ato franceze të ndihmës aktive në terren.

Fillimisht, Maroku nuk e pranoi ofertën franceze për të dërguar punonjës shpëtimi në rajonet e goditura nga tërmeti, i cili vrau të paktën 2 100 persona. Kjo shkaktoi një debat në Francë, ku jetojnë shumë marokenë.

Colonna hodhi poshtë idenë se tensionet politike midis dy vendeve ishin një arsye për refuzimin e ofertës, duke theksuar se Maroku ishte një vend sovran dhe kishte pasur ndihmë nga më shumë se 60 vende në total.

Ministri i Brendshëm francez, Gérald Darmanin tha gjithashtu se ai nuk besonte se politika e kishte penguar dhënien e ndihmës.

Ai i tha radios publike TF 2 se Maroku dhe Franca ishin “vende vëllezër”.

“Maroku ka një sistem të mirë të mbrojtjes civile dhe është i aftë të merret me vetë situatën”, tha ai.