Protestat në Izrael rindizen në prag të vendimit të gjykatës për reformën në drejtësi
Protestat në Izrael kanë rifilluar një ditë përpara seancës gjyqësore të pritur me padurim lidhur me planet e diskutueshme të qeverisë për reformën në drejtësi.
Disa qindra demonstrues u mblodhën para shtëpisë së ministrit të Drejtësisë, Yariv Levin në Modiin sot në mëngjes.
Mësohet se ka pasur konfrontime me policinë. Në mbrëmje ishte planifikuar një tubim i madh në Jeruzalem para Gjykatës së Lartë.
Të martën, të 15 gjyqtarët e gjykatës do të takohen për herë të parë për të diskutuar peticionet kundër ligjit të miratuar së fundmi, pjesë e një projektligji gjithëpërfshirës nga qeveria fetare e krahut të djathtë për të dobësuar gjyqësorin.
Pritet që diskutimet të zgjasin disa javë. Nëse gjykata kundërshton ligjin dhe qeveria nuk e pranon vendimin, vendi mund të zhytet në një krizë shtetërore.
Bisedimet për një kompromis me opozitën e udhëhequr nga presidenti Isaac Herzog deri më tani kanë qenë të pasuksesshme.
Disa media izraelite raportuan sot se kryeministri Benjamin Netanyahu po bën përpjekje për dobësimin e njëanshëm të ligjit, pa miratimin e opozitës.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ai do të marrë mbështetje të mjaftueshme për këtë brenda koalicionit të tij.
