Kuqezinjtë e vegjël shkëlqejnë në Armeni, fushata eleminatore nis me fitore

Shqipëria U21 e drejtuar nga trajneri Alban Bushi debuton me fitore në fushatën eliminatore të Euro 2025 për grupmoshën U21. Kuqezinjtë shpresa triumfuan në transfertë në Armeni pasi e zgjidhën ndeshjen që në pjesën e parë. Skuadra shqiptare realizoi me Stiven Shpendin në minutën e 28 pasi sulmuesi i Empolit në Serie A, realizoi një gol vërtet të bukur teksa lëvizi mirë nga e majta e sulmit dhe me një goditje teknike mposhti portierin kundërshtar.

9 minuta më pas, Shqipëria gjeti sërish rrugën e rrjetës. Këtë herë me anë të Arlind Rexhepit, i cili përfitoi mjaft mirë në zonën kundërshtare dhe me një goditje të saktë e dërgoi topin në cepin e portës.

Armenët nuk u dorëzuan lehtë dhe shkurtuan diferencat në të 86-tën me anë të Tarakhchyan, i cili edhe pse nga një kënd i vështirë arriti të mposhtte portierin Simon Simoni. Ndeshjen e dytë eleminatore, Kombëtarja U-21 do ta luajë kundër Rumanisë.