"Më falni!" Prezantuesi Jimmy Fallon i kërkon ndjesë stafit pas akuzave se krijoi mjedis “toksik”

Jimmy Fallon i ka kërkuar falje stafit të emisionit “Tonight Show” pas akuzave se ai kishte krijuar një mjedis pune "toksik". "Ndihem aq keq sa nuk mund t'jua them", tha prezantuesi i famshëm për stafin.

Prezantuesi amerikan, Jimmy Fallon i ka kërkuar falje stafit të emisionit që drejton ‘The Tonight Show’, pas akuzave se ai kishte krijuar një mjedis pune toksik.

"Ndihem aq keq sa nuk mund t'jua shpjegoj, më falni nëse ju turpërova ju, familjen dhe miqtë tuaj’, është shprehur artisti.

Reagimi i tij pason një investigim të revistës Rolling Stone, e cila publikoi akuza nga 16 punonjës aktual dhe të mëparshëm të emisionit.

Ata kanë treguar për revistën se për vite me radhë ndiheshin të nënçmuar dhe të frikësuar dhe shëndeti i tyre mendor ishte rënduar.

Në dëshmi e përshkruajnë sjelljen e Fallon si të çrregullt, në varësi të faktit nëse ai po kalonte një ditë të mirë apo një ditë të keqe, vijon shkrimi duke shtuar se stafi ishte subjekt i shpërthimeve të zemërimit.

Sipas Rolling Stone, dhomat e zhveshjes së të ftuarve quheshin "dhoma për të qarë".

Ndërsa kur i janë drejtuar burimeve njerëzore me ankesa, çështja ka mbetur e pazgjidhur, pretendojnë denoncuesit, të cilët kanë kërkuar anonimitet nga frika e hakmarrjes.

Megjithatë, një zëdhënës i NBC i ka hedhur poshtë akuzat për Jimmi Fallon.

"Ne jemi jashtëzakonisht krenarë për The Tonight Show, dhe ofrimi i një mjedisi pune të respektueshëm është një përparësi kryesore... Si në çdo vend pune, ne kemi pasur punonjës që ngrenë çështje; ato janë hetuar dhe është marrë masa aty ku është e nevojshme”, ka deklaruar ai.

Në mbështetje të kësaj, disa punonjës aktualë të emisionit i kanë dalë në mbrojtje Fallon. Ndryshe nga denoncuesit, ata e përshkruajnë si njeri pozitiv.

“Ai të lavdëron kur bën një punë të shkëlqyer dhe kur është i lumtur, jemi të lumtur që punojmë aty tani,” janë shprehur ata.

‘The Tonight Show’ ka pasur 9 producentë televizivë të nivelit të lartë, që kur Fallon mori përsipër drejtimin e shfaqjes në vitin 2014. Në debutimin e tij me Fallon, shfaqja kishte mbi 11 milionë shikues.