Ambasadori i Brazilit viziton parkun kombëtar Divjakë-Karavasta

Në parkun kombëtar Divjakë-Karavasta pjesë e vizitorëve ditën e sotme ishte  Ambasadori i Brazilit  në vendin tonë, Joao Tabajara de Oliveira Junior.

Lajmi u bë i ditur nga drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura Fier, Fotjon Prence në një postim në rrjetet sociale.

“Përgjatë vizitës së tij në park, ambasadori u njoh me vlerat e parkut, ku mbeti i mahnitur me biodiversitetin. Ambasadori shprehu dëshirën se do të rikthehej sërish për ta vizituar parkun”, tha Prence.

Prence u shpreh se “tashmë është kthyer në traditë, të gjithë ambasadorët që vizitojnë parkun tonë mbjellin në shenjë simbolike një fidanë pishe”.

Divjakë-Karavasta është një nga parqet natyrore më të vizituara për turizmin detar, natyror dhe të vëzhgimit të shpendëve ujorë. Nga janari deri në fund të korrikut parku u vizitua nga 208 000 turistë, nga të cilët  80 000 janë të huaj. Gjatë sezonit turistik në këtë park ofrohet një guidë prej 5 km, ku vizitorët njihen me gjallesat dhe bimësinë e parkut.