Osmani: Porti i Durrësit kursen kohën dhe koston e bizneseve kosovare

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, gjatë ditës së dytë të vizitës shtetërore që po zhvillon në Shqipëri, ka qëndruar në qytetin e Durrësit.

Në një takim me kryetaren e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, është diskutuar për sezonin turistik si dhe mundësitë e bashkëpunimit me komunat e Kosovës.

Osmani dhe kryetarja Sako kanë vizituar pikën doganore të Kosovës në Portin e Durrësit, njofton Presidenca e Kosovës.

Osmani ka theksuar rëndësinë e përdorimit të këtij porti nga ana e bizneseve kosovare.

Sipas saj, kjo zyrë kursen kohën dhe koston, sikurse edhe e lehtëson operimin e bizneseve kosovare në tregjet ndërkombëtare.

Aty kanë takuar edhe drejtorin e Doganave të Kosovës, Agron Llugaliu dhe homologun e tij nga Shqipëria, Genti Gazheli.

“Ata kanë prezantuar bilancin e shkarkimit të mallrave nga Kosova në këtë port dhe mundësive për përdorim më të shumtë të tij në këtë funksion”, thuhet në njoftim.