Mesazhe në Ditën e Shenjtërimit, Rama: Nënë Tereza, shqiptarja që i dëshmoi botës forcën e dashurisë dhe dhembshurisë. Begaj, ekspozitë në Presidencë

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrat e kabinetit qeveritar si dhe drejtues të partive poltike përkujtuan sot Nënë Terezën në Ditën e Shenjtërimit të saj.

Presidenti i Republikës Bajram Begaj, në praninë e homologes kosovare Vjosa Osmani organizoi një ekspozitë në kujtim të jetës dhe veprës së Nënë Terezës

Kryeministri Edi Rama përcolli mesazh në Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës.

“Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës, shqiptares që i dëshmoi botës forcën e dashurisë dhe dhembshurisë”, shkroi Rama në rrjetet sociale.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, përcolli mesazh në Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës

“Sot, Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës. Ne, shqiptarët, jemi krenar për këtë grua të jashtëzakonshme të kombit, që bashkon në një të vetme dhe në mënyre unikale Shenjtoren dhe Nobelisten e Paqes, hyjnoren dhe tokësoren, urtësinë dhe kontributin në zhvillimin e ideve humaniste me shërbimin e drejtpërdrejt ndaj të varfërve, të uriturve dhe të sëmurëve anembanë Planetit. Mësimi i vyer dhe i urtë i Nënë Terezës se paqja nuk vjen me luftë, por me dashuri e dhembshuri është sot më aktual se asnjëherë.”, shkruan Kryetarja Nikolla.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi shkroi në rrjetet sociale se, “në ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, nderojmë dhe përulemi përpara gruas së jashtëzakonshme që shndërroi botën me dashurinë, përkushtimin dhe humanizmin e saj të pafundëm”.

“Shembulli i saj i mirësisë, qoftë shembulli më i mirë i frymëzimit për të gjithë ne”, theksoi ai.

Edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti përkujtoi sot Nënë Terezën në Ditën e Shenjtërimit të saj.

“I falemi sot Nënë Terezës, shqiptares sonë të madhe, që çdo ditë na mëkon me mesazhin e çmuar të dashurisë për tjetrin!

“Ne nuk kemi nevojë për armë dhe bomba që të sjellim paqe në botë. Kemi nevojë për dashuri dhe dhembshuri”, thotë Shën Nënë Tereza”, u shpreh ajo.

Edhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja përkujtoi sot Nënë Terezën në Ditën e Shenjtërimit të saj

“Gëzuar 7-vjetorin e Shenjtërimit të shqiptares së Mrekullive Nënë Terezës!”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Edhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro përkujtoi sot Nënë Terezën.

“Njeriu shpesh është i pakuptueshëm, spontan, vetanak.
E ç’rëndësi ka, duaje!
Nëse mirë bën, do të thotë se plotësohet qëllimi i vetes.
E ç’rëndësi ka, bëj mirë!
Nëse do të jeni të suksesshëm, miq të rremë do të gjeni dhe armiq të vërtetë.
E ç’rëndësi ka, vazhdo!
E mira që bën do të harrohet nesër.
E ç’rëndësi ka, qofsh i kthjellët!
Sinqeriteti dhe nderi do të bëjnë të plagosesh kollaj.
E ç’rëndësi ka, krijo!
Le të shembet natën befas ajo që ke ngritur me vite.
E ç’rëndësi ka, ndërto përsëri.
Le të mos kënaqen njerëzit kur u gjendesh pranë.
E ç’rëndësi ka, ndihmoji!
Nënë Tereza, në Ditën e Shenjtërimit”, shkroi Kumbaro në rrjetet sociale.

Edhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta përkujtoi sot Nënë Terezën në Ditën e Shenjtërimit të saj.

Në këtë ditë feste për kombin shqiptar, botën katolike dhe njerëzimin, Shenjtërimin e Nënë Terezës, nderojmë me respekt veprën e Saj të ndritur dhe të paharruar, shembullin e jashtëzakonshëm të humanizmit dhe dashurisë në veprim, u shpreh Meta.

Shën Nënë Tereza, simboli i nënës shqiptare, do të jetë përherë frymëzim “për të bërë gjëra të vogla me dashuri të madhe”, theksoi ai.

Edhe deputeti demokrat Tritan Shehu ka kujtuar jetën dhe veprën e Nënë Terezës.

"Shenjterimi i Nene Terezes, ve ne piedestal edhe shqiptaret! Nje ngjarje madhore ajo dite e 5 Shtatorit 2016 jo vetem per Kishen Katolike. Por dhe per njerezimin vete, vlerat e tij, paqen dhe solidaritetin njerezor.

Nje krenari kombetare ne identitetin tone ajo dite, sic ishte e eshte… E Shenjta Nene Tereza vete. Personaliteti me madhor, me rezatues ne historine moderne te kombit tone.

E paharueshme ajo dite ne Vatikan, ne ate ceremoni madheshtore e te pa perseriteshme. Ku dhe kur e ndjeje vehten krenar per te qenet shqiptar!", shprehet Tritan Shehu.