Peleshi: Ndërhyrja e trupave tona në fshatin Dadia eliminoi rrezikun e banesave nga zjarri

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi shprehu sot mirënjohjen për ekipin e Forcave të Armatosura, Emergjencave Civile dhe forcat zjarrfikëse të bashkive të Korçës dhe Maliqit që me shumë profesionalizëm dhe vendosmëri janë angazhuar përgjatë këtyre 11 ditëve në operacionet e shuarjes së zjarreve në Greqi.

“Ndërhyrja e djeshme e trupave tanë mbi fshatin Dadia, ka mundësuar reduktimin e zjarrit, eleminimin e rrezikut të banesave dhe shpëtimin e një ferme nga zjarri, ndërkohë vazhdon puna me intensitet për vënien në kontroll dhe shuarjen e të tjera vatrave”, vuri në dukje Peleshi.

Prej ditësh në Alexandroupoli të Greqisë, shërbimet zjarrfikës Maliq e Korçë po kontribuojnë në fikjen e vatrave të zjarrit si pjesë e forcës shqiptare të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve në Greqi u angazhuan 49 efektivë zjarrfikës, 5 mjete zjarrfikëse dhe 4 mjete mbështetëse nga Forcat e Armatosura dhe bashkitë ndërkufitare të Korçës dhe Maliqit.

Rreth 74 000 hektarë janë djegur në verilindje të Greqisë, 13 000 prej tyre vetëm në parkun kombëtar Dadia, raportojnë mediat greke. Komisioni Evropian e përshkroi atë si zjarrin më të madh të vetëm në historinë e Bashkimit Evropian.