U raportua fillimisht për vdekje natyrale, autopsia: 37-vjeçarja ndërroi jetë si pasojë e plagëve me mjet prerës
Policia e Tiranës ka bërë njoftim zyrtar për krimin në familje në Tiranë. Policia dje rreth orës 11:40 ka marrë njoftimin se shtetesja A.P 37-vjeçe kishte ndërruar jetë nga shkaqe natyrore. Por pas autopsisë të trupit të viktimës rezulton se 37 vjeçarja ka ndërruar jetë nga plagët me mjet prerës. Si autore e dyshuar e kësaj ngjarje është arrestuar motra e viktimës.
Njoftimi i policisë Tiranë:
Tiranë
Ditën e djeshme, rreth orës 11:40, është marrë njoftim se në rrugën "Hajdar Hidri", shtetasja A. P., 37 vjeçe, kishte ndërruar jetë dyshohet për shkaqe natyre.
Pas marrjes së njoftimit, Shërbimet e Policisë kanë kaluar menjëherë në vendngjarje, dhe pas konstatimit të trupit të pajetë të shtetases A. P., 37 vjeçe, e cila fillimisht është raportuar si vdekje natyrale nga familjarët, kanë vijuar veprimet hetimore të thelluara në lidhje me rastin, për të bërë të mundur zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Pas kryerjes së autopsisë ka rezultuar se shtetasja A. P., 37 vjeçe, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga një mjet prerës.
Në vijim të veprimeve, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda arrestuan shtetasen M. P., 40 vjeç, (motrën e saj), banuese në Tiranë, për veprën penale "Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare", pasi ditën e djeshme, gjatë një konflikti ka goditur me mjet prerës shtetasen A. P., e cila si pasojë e plagëve të marra, ka ndërruar jetë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

