"Ferma e Kafshëve" në Amfiteatrin e Durrësit, këtë fundjavë
“Ferma e Kafshëve” me algorinë therëse të George Orwell, shkruar në 1945, mbetet një nga veprat më të forta të anës të errët të historisë të shek. XX-të.
Ajo do të vijë këtë fundjavë, në Amfiteatrin e Durrësit, me regji të Driada Dervishit, në interpretimin e disa prej aktorëve më në zë të vendit si: Neritan Liçaj, Hervin Çuli, Erjona Kakeli, Florian Agalliu, Anila Bisha etj.
Spektatorët do të shohin një Revolucion në Fermën Menër. Kafshët ngrihen kundër njeriut pronar dhe marrin kontrollin e fermës. Por dikush duhet ta zërë vendin e drejtuesit të fermës, e të gjithë bien dakord se duhet ta marrin kafshët më të zgjuara të fermës: Derrat.
Napoleoni është derri që bëhet udhëheqësi kryesor i fermës, fillimisht me tone entuziaste vëllazërie e barazie, ai i bind se është e afërt rruga drejt të ardhmes së lirë, ku do të punojnë të gjithë vetëm për vete, larg babëzisë së njeriut. Nuk kalon shumë dhe parimet e premtuara kthehen në vargonj që i lidhin kafshët edhe një herë.
Edhe pse “Ferma e Kafshëve” fillimisht simbolizoi Rusinë dhe Bashkimin Sovjetik nën drejtimin e Partisë Komuniste, tashmë ajo përfaqëson çdo shoqëri njerëzore, qoftë ajo kapitaliste, socialiste, fashiste, apo komuniste, dhe mbetet prej më shumë se shtatëdhjetë vitesh një satirë e idealizimit të barazisë që korruptohet nga pushteti.
Ky aktivitet është një nga stacionet e sezonit veror “KultArt” 2023, organizuar nga Ministria e Kulturës, që çon artin e kulturën atje ku është publiku.


