Rrezikuan të mbyteshin me Jet Ski, shpëtohen dy pushuesit

Dy pushues në zonën e Durrësit janë shpëtuar nga Policia Kufitare dhe Deltaforce, pasi po fundosenin me Jet Ski e tyre.

Sipas njoftimit të policisë, mjetet lundruese pësuan defekt, ndërsa rryma dhe erërat e forta i larguan drejt thellësisë së detit jetsikitë e tyre.

“Pasditen e djeshme, gjatë patrullimeve në të gjithë hapësirën detare të qarkut, shërbimet e Njësisë Policore Detare kanë konstatuar në afërsi të gjirit të Durrësit, 2 shtetas që kërkonin ndihmë, pasi rrezikonin të fundoseshin, për shkak se mjeti i tyre lundrues Jet Ski kishte pësuar defekt dhe rrymat detare e kishin çuar larg bregut”, njofton Policia.

“Sapo i kanë konstatuar, shërbimet e Njësisë Policore Detare, me 2 mjete lundruese, iu kanë shkuar në ndihmë 2 qytetarëve, dhe kanë bërë të mundur nxjerrjen e tyre në breg, në gjendje të mirë shëndetësore. Gjithashtu, është tërhequr në breg, mjeti lundrues që kishte pësuar defekt”, vijon policia.

“Njësia Policore Detare fton çdo qytetar/turist që gjendet në një nevojë që lidhet me detyrat funksionale të Njësisë, të kërkojë ndihmë, dhe reagimi do të jetë i menjëhershëm dhe i specializuar”, bënë të ditur Policia.