Himarë, u përplasën me jet ski, shpëtohen nga mbytja dy të miturit, njëri me dëmtime në kokë
Policia e Himarës iu jep ndihmën e parë 2 pushuesve të cilët aksidentalisht ishin dëmtuar pasi janë përplasur me jet ski.
Në Llaman, shtetasit D. K. dhe K. Xh., janë afruar te disa shkëmbinj dhe pasi kanë zbritur nga mjeti lundrues Jet Ski, kanë hipur në shkëmbinj, për t’u hedhur në det.
Shtetasi K. Xh., 16 vjeç, banues në Tiranë, ka pësuar dëmtime të rënda në fytyrë dhe në kokë. I lënduar ka mbetur edhe shoku i tij, shtetasi D. K., 17 vjeç, banues në Tiranë.
Shtetasi D. K. ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa shtetasi K. Xh. po transportohet me helikopter në drejtim të Tiranës, për ndihmë mjekësore më të specializuar.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë vendore dhe ato të Policisë Kufitare, si dhe grupi hetimor, me qëllim dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ndërkohë, është shoqëruar në Komisariat dhe po merret në pyetje pronari i mjeteve lundruese, shtetasi R. P.
