AKUZA E PLOTË/ Ia mori jetën me grushta, Rei Meta, djali i anëtares së KLP-së, rrezikon maksimumi 5 vite burg për vrasjen e inxhinierit
Këtë të premte u mbajt seanca gjyqësore ku u vendos masa e arrestit me burg për Rei Meten, 33-vjeçarin që ditën e hënë goditi me grusht inxhinierin Armando Meshau.
Si masë paraprake sot prokuroria ka kërkuar burg për të riun, masë që u pranua edhe nga gjykata.

me vendimin e sotem Rei Meta qëndron në burg ndërsa akuza me të cilën do të përballet është ajo e vdekjes nga pakujdesia, vepër që dënohet me gjobë deri në 5 vite burg.
Nga ana e saj, Pala mbrojtëse ka paraqitur në gjykatë edhe një raport që tregon se 55 vjeçari që ndërroi jetë kishte patur një ndërhyrje bypas në zemër.
Si pasojë e goditjeve Meshau ndërroi jetë pak minuta pas goditjeve.

Rei Meta, djali i anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë Nurihan Seitu (Meta) u arrestua të hënën me akuzën e vrasjes nga pakujdesia.
NGJARJA
Zyrtarisht policia njoftoi se mes dy personave pati një përplasje për “motive të dobëta”,
Por policia dyshon se Meta kishte shërbyer si sekser për viktimën për një problem me pronat që ky kishte në Vlorë dhe se Meshau nuk i kishte dhënë shpërblimin.
Meta dyshohet se ka përdorur emrin e së ëmës, anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të nxjerrë përfitime, duke pretenduar se mund të zgjidhte probleme të pronave.
Në rastin që solli konfliktin, Armando Meshau viktima, pretendonte se e kishte gjetur vetë dakordsinë me palën e tretë dhe kishte refuzuar t’i kalonte Metës një apartament që do ishte pagesa e tij për ndërmjetësimin.
Kjo solli përplasjen në një kancelari dhe pas debatit me fjalë, dy personat janë qëlluar me grushte që sollën rrëzimin dhe më pas vdekjen e Meshaut.
Por vetë Meta e ka mohuar këtë. Ai ka pretenduar se ka qëlluar me grushte Meshaun për t’u vetëmbrojtur dhe se kishte qenë ndërtuesi që e kishte sharë dhe qëlluar i pari.




