Sharra nën sekuestro, Administratori i Shtetit: Bashkitë e Qarkut të Tiranës debitore për faturat e plehrave

Administratori Shtetëror i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, në Ministrinë e Brendshme, Arjan Baçi mbajti një komunikim për Impiantin e Mbetjeve të Tiranës.

Baçi theksoi se bashkitë e Qarkut të Tiranës rezultojnë debitore për mos shlyerje e detyrimeve të faturave të plehrave.

“Gjykata ka vendosur që për menaxhimin e kësaj shoqërie të merret Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara që është në varësinë e Ministrisë së Brendshme dhe administrator jam zgjedhur.

Puna po vazhdon normalisht. Po ndiqen të gjitha kontratat që janë lidhur dhe po shihen të gjitha detyrimet e prapambetura që kompani të ndryshme kanë tek kjo shoqëri, me qëllim që të bëhet i mundur vazhdimi i ecurisë dhe trajtimin e mbetjeve urbane të qarkut të Tiranës.

Një problematikë që pamë nga situata që shikojmë aty dhe nga informacionet e shpejta që kemi marrë është që bashkitë e qarkut të Tiranës janë akoma debitorë tek kjo shoqëri.

Po bëhet muaji i tretë që nuk kanë shlyer detyrimet. Por kemi filluar t’i kontaktojmë dhe t’i dërgojmë shkresat përkatëse për t’i vënë para përgjegjësisë që kemi një kontratë të lidhur , e cila duhe ttë zbatohet.

Moszbatimi i kësaj kontrate do të sillte një kaos në menaxhimin e të gjithë mbetjeve urbane në qarkun e Tiranës”, u shpreh ai.