Shfrytëzoi 2 të mitur për të marrë para në parkim publik, pranga 37-vjeçarit

Policia e Durrësit njofton se ka arrestuar një 37-vjeçar i cili përvetësonte pagesat e qytetarëve që parkonin automjetet në një hapësirë publike që ishte e destinuar nga bashkia, si vendparkim pa pagesë.

Ky shtetas gjithashtu shfrytëzonte 2 adoleshentë, si punëtorë në këtë biznes.

“Si rezultat i kontrolleve të përditshme që specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Durrës kryejnë në subjekte të ndryshme ekonomike, për të kontrolluar nëse kanë të punësuar shtetas të mitur, në kundërshtim me specifikat e ligjit për këtë veprimtari, si dhe për të verifikuar ligjshmërinë e ushtrimit të këtyre aktiviteteve, është konstatuar dhe goditur një tjetër rast i paligjshmërive në të dyja këto fusha”, njofton Policia e Durrësit.

“Për këtë rast, është vënë në pranga shtetasi E. K., 37 vjeç, banues në Durrës, pasi iu merrte para (300-500 lekë) qytetarëve, për të parkuar automjetet në një hapësirë, në lagjen nr. 1, hapësirë e cila ishte e destinuar nga bashkia e Durrësit, si vendparkim pa pagesë”, vijon njoftimi.

“Gjithashtu, nga verifikimet rezultoi se 37-vjeçari shfrytëzonte si punëtorë në këtë biznes, dy shtetas 16 dhe 17 vjeç. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, përfundon njoftimi i Policisë së Durrësit.