Radhë në Kapshticë, Greqia s’ka staf, fluks i lartë hyrje-dalje edhe në pikën kufitare të Qafë Thanës

Mungesa e stafit nga ana e palës greke ka shtuar radhët në pikën kufitare të Kapshticës. Ndërkohë në Qafë Thanë një problematikë e tillë nuk vërehet pas marrëveshjes për një pike të vetme kontrolli

Radhë të gjata automjetesh në të dyja anët e kufirit raportohet të ketë në pikën kufitare të Kapshticës.

Shkak është bërë fluksi i shtuar i emigrantëve shqiptarëve që jetojnë në shtetin grek, por që duan t’i kalojnë pushimet në vendlindje.

Fluks i lartë raportohet edhe në dalje, pasi shumë emigrantë duan të kthehen në vendet e tyre të punës pasi kanë mbyllur pushimet në shqipëri.

Për të evituar radhët e gjata në të dy anët e kufirit ka pasur takime mes drejtuesve, por për shkak se pala greke ka mungesë të stafit është duke punuar me vetëm 2 sportele, nga 4 që punon pala shqiptare.

Për këtë arsye,  mësohet se autoritetet tona u kanë kërkuar homologëve të tyre që të punojnë me procedure te përshpejtuar për shtetasit grekë dhe shqiptarët me dokumente greke.

Raportohet se më 5 gusht vetëm nga pika kufitare e Kapshticës kanë hyrë në Shqipëri  5981 persona dhe kanë dalë 3241 persona.

Shifra të larta kalimesh ka pasur edhe në pikën kufitare me Maqedoninë e Veriut, në Qafë Thanë, ku raportohen se  kanë hyrë 3456 persona dhe kanë dalë  3745.

Por pavarësisht shifrave të larta, aplikimi i marrëveshjes së arritur pak ditë më parë mes dy qeveri për të pasur një pikë të përbashkët kontrolli, në pikën kufitare të Qafë Thanës nuk janë shkaktuar radhë të gjata.