"Larg duart nga parku"/ Lëvizja Bashkë protestë për të mbrojtur parkun pas TKOB nga 85-katëshi
Lëvizja Bashkë do të organizojë një protestë ditën e sotme për të mbrojtur parkun mes pallateve 9-Katëshe dhe Teatrit të Operës dhe Baletit.
Në një njoftim të publikuar në media, thuhet se protestë do të nisë në orën 18:00 te parku pas Teatrit të Operës dhe Baletit.
Kjo protestë do të mbahet, pasi ky park është rrethuar dhe pritet që të kthehet në kantier ndërtimi për një kullë tjetër në atë zonë.
Njoftimi i Lëvizjes Bashkë:
LARG DUART NGA PARKU! Tiranës po i zhduket një nga parqet e fundit, ai që shtrihet midis pallateve 9-Katëshe dhe Teatrit të Operës dhe Baletit. Dhuna e betonit nuk ka të ndalur. Pushtetarë të korruptuar dhe oligarkë të pangishëm po na lenë pa një prej hapësirave të fundit publike e të gjelbra që i kanë mbetur qytetit. Po ne, qytetarët e Tiranës, jemi më të fuqishëm se pushteti dhe miliardat e tyre. Ndaj Lëvizja BASHKË u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkohemi në një protestë të fuqishme nesër (e diel) në orën 18:00 në vendin e krimit ndaj qytetit. Takohemi te parku ynë!
