Kanabis në repartin Komando, Gazetari jep detajet nga skandali: Monitorimi nga ajri i “Guardia di Finanza” zbuloi parcelën

Kultivimi i bimëve narkotike është zbuluar brenda repartit ushtarak të trupave Komando të Zall Herrit në Tiranë!

Për këtë skandal të rëndë që mund të vërë në dyshim partneritetin e Shqipërisë me NATO-n, policia ka arrestuar 3 ushtrarakë dhe 4 të tjerë janë nën hetim, gazetari Edison Vatnikaj theksoi se monitorimi nga ajri i agjentëve italianë të “Guardia di Finanza” zbuluan parcelën me kanabis brenda repartit Komando.

Në vijim të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë për shpërdorim të detyrës, 3 punonjës të repartit ushtarak, shtetasit:

– Gramoz Mullai, 52 vjeç, me detyrë Shef Seksioni i Sigurisë;

– Rustem Koçi, 25 vjeç, me detyrë Specialist për Zbulimin;

– Gentian Zhurda, 45 vjeç, me detyrë Specialist Sigurie.

Gjithashtu u proceduan penalisht dhe 4 shtetas të tjerë:

– A. J., 41 vjeç, me detyrë Specialist Infrasktrukture;

– P. H., 52 vjeç, me detyrë Zv/Komandant toge;

– I. D., 47 vjeç, me detyrë magazinier;

– P. D., 57 vjeç, me detyrë Komandant Reparti.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi reagoi për ngjarjen duke e dënuar atë, ndërsa saktësoi se zbulimi i bimëve të kanabisit ishte bërë i mundur falë bashkëpunimit dhe të policisë ushtarake. Ai njoftoi pezullimin nga detyra të të gjithë personave përgjegjës.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla u shpreh përmes një postimi në Facebook se “lufta kundër kultivimit, trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike do të jetë sistematike. Kultivimi i paligjshëm i kanabisit ka qenë një burim financash për organizatat kriminale. Ky burim duhet shuar përfundimisht. Goditje të tjera më të forta po vijnë”, nënvizoi ai.