PAMJET/ Iu ngecën makinat në baltën e pyllit të Divjakës, policia ndihmon 8 turistët italianë

Policia e Divjakës njofton se iu ka shkuar për ndihmë 8 turistëve italianë, pasi iu ngecën automjetet në baltë, në pyllin e Divjakës, gjatë mesnatës dhe për këtë shkak iu pamundësua kthimi.

Iu ngecën automjetet në baltë, në pyll, gjatë mesnatës, dhe për këtë shkak iu pamundësua kthimi, Policia e Divjakës iu shkon në ndihmë 8 turistëve italianë.

Mesnatën e djeshme, Komisariati i Policisë Divjakë ka marrë njoftim se për shkak të shirave, 2 automjete me të cilat 8 turistë italianë eksploronin lagunën e Karavastasë dhe pyllin e Divjakës, kishin ngecur në një pjesë rruge me baltë.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën, kanë shkuar në zonën e sinjalizuar dhe përmes përdorimit të një makine teknologjike (skrep), i kanë nxjerrë 2 automjetet nga rruga me baltë ku kishin ngecur.

8 turistët janë shoqëruar me automjetet e Policisë dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore. Këta turistë kanë falënderuar shërbimet e Policisë për reagimin e menjëhershëm dhe humanizmin e shfaqur gjatë ofrimit të ndihmës.