Erdogan i kërkon Putinit shmangien e përshkallëzimit
Presidenti turk, Recep Tajip Erdogan i bëri thirrje sot homologut të tij rus Vladimir Putin që të shmangë çdo përshkallëzim në konfliktin me Ukrainën në Detin e Zi, njoftoi presidenca turke.
Gjatë një interviste telefonike, kreu i shtetit turk i kërkoi Putinit “të mos marrë asnjë masë që rrezikon të provokojë një përshkallëzim të tensioneve në luftën midis Rusisë dhe Ukrainës”.
”Erdogan theksoi rëndësinë e Iniciativës së Detit të Zi, të cilën ai e konsideron një urë për paqen”, tha presidenca në një deklaratë në lidhje me marrëveshjen e grurit të cilën Moska refuzoi ta zgjasë.
Për Erdoganin, i cili ishte një nga negociatorët dhe një nga garantuesit me Kombet e Bashkuara dhe synon të vazhdojë përpjekjet e tij për rinisjen e marrëveshjes, nga ndërprerja e zgjatur e Iniciativës së Detit të Zi nuk do të përfitojë askush dhe vendet në nevojë për drithë dhe me të ardhura të ulëta do të vuajnë më shumë”.
Ai argumentoi se çmimet e grurit ranë me 23% kur korridori funksiononte, midis 1 gushtit 2022 dhe 17 korrikut në mesnatë dhe se ato janë rritur me 15% në dy javët e fundit.
Sipas presidencës, të dy liderët ranë dakord gjithashtu për vizitën e Putinit në Turqi, pa avancuar megjithatë në një afat kohor.
