Siguria ushqimore, Krifca: Taskforca e AKU-së në terren, kush mashtron me etiketat, do mbyllet dhe konfiskohet
Me rritjen e temperaturave siguria ushqimore kthehet në një shqetësim të shtuar. Por me një numër të lartë pushuesish, një rast helmimi mund të kthehet në fenomen negative për vendin.
Për të mos lejuar abuzimet, por edhe për të rritur ndërgjegjësimin e bizneseve që operojnë në zonat turistike prej një muaji në terren ka zbritur një task-forcë.
Një prej bizneseve është zbuluar në Korçë që tregtonte mallra jashtë standardeve të lejuara. Për të, Agjencia Kombëtare e Ushqimit vendosi një gjobë prej 44 mijë lekësh.
Verifikimet në terren i ka mbikëqyrur personalisht ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca e cila paralajmëroi masa deri në mbylljen e bizneseve që kapen me shkelje.
“Në qarkun e Korçës ne kemi kryer një aksion shumë të rëndësishëm. Kemi gjetur një supermarket të licencuar por që e kryente aktivitetin me mashtrime etiketash. Ky subjekt është bllokuar.
Shqipëria sot ka një monitorim të shtuar dhe objektiv shumë të qartë të sigurisë ushqimore. Aktivitete të tilla patjetër që do të bllokohen, por qëllimi i taskforcës nuk është penalizimi.
Roli i saj është evidentimi, paralajmërimi, këshillimi dhe aty ku ka shkelje sigurisht do të marrim masa”, u shpreh ministrja.
Vetëm në Korçë dhe në Gjirokastër katër subjekte janë konstatuar me problematika, në mungesë të kushteve higjieno-sanitare, mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë dhe mungesë etiketimi.
Janë marrë 12 mostra të produkteve të bulmetit, për analizim fiziko-kimik dhe mikrobiologjik të analizave.
Në këto subjekte është bllokuar sasia prej 23.838 ton produkte djathë i bardhë, djathë kaçkavall, gjalpë dhe gjizë.




