UMSH hap Fakultetin e Mjekësisë/ Stroni: Staf akademik me eksperiencë ndër vite, me kurikula bashkëkohore

Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë vjen me një tjetër risi. Për herë të parë hapet Fakulteti i Shkencave Mjekësore. Ndërsa Koordinatori i pergjithshem i këtij fakulteti, mjeku i njohur Gent Stroni jep detajet.

Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë vjen këtë vit me një tjetër risi. Për herë të parë hapet Fakulteti i Shkencave Mjekësore.

Koordinatori i Përgjithshëm i këtij Fakulteti, mjeku i njohur Gent Stroni sqaron me detaje si do funksionojë ky fakultet.

Gent Stroni: “Kjo është një risi, e cila bën të mundur formimin e studentëve dhe profesionistëve në degët e kërkuara, siç janë: Infermieria, Fizioterapia dhe Teknik Laboratori”.

Stafi akademik më elitar, me profesionistë të fushës dhe marrëveshjet me qendrat shëndetësore evropiane, ku studentët do kryejnë praktikat, e diferencojnë këtë fakultet.

Gent Stroni: “Ky fakultet i sapoformuar mbledh së bashku një staf akademik, i cili ka një eksperiencë ndër vite. Një staf i cili do të formojë studentë të cilët janë të gatshëm për të përballuar maksimumin e ngarkesës në fushën e Mjekësisë. Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë ka përzgjedhur kurrikulat më bashkëkohore që ekzistojnë për këto profesione. Dhe për këtë arsye ne ftojmë të gjithë të rinjtë e pasionuar që do të donin të hynin në këtë fushë të Mjekësisë, t’i bashkëngjiten këtij fakulteti të sapohapur”.

Universiteti Mesdhetar ka 3500 studentë. Me hapjen e dakultëtit të ri, numri i tyre arrin në 4 mijë dhe në total studentët mund të zgjedhin 50 degë në ciklin “Bachelor” dhe “Master”.