FOTO/ Vrau gruan me armë në Korçë , gjendet i vetëvrarë Gjergj Mullalliu
Gjergj Mullalliu, burri i cili mbrëmë vrau gruan me armë në Korçë është gjetur i vetëvrarë sot.
Ata ishin në proces divorci dhe gruaja ishte pajisur me urdhër mbrojtjeje për shkak të dhunës.
Konfliktet mes çiftit, prindër të tre fëmijëve shkuan deri aty derisa ditën e djeshme, 55-vjeçari e vrau gruan me armë zjarri dhe e hodhi në një gropë septike, pranë banesës.
"Pas kërkimeve të pandërprera dhe kontrollit të territorit me qëllim kapjen e shtetasit Gj. M., i cili një ditë më parë vrau me armë zjarri bashkëshorten e tij, shërbimet e Policisë të DVP Korçë dhe Komisariatit të Policisë Maliq bënë të mundur lokalizimin në një banesë të braktisur, në fshatin Zëmblak, të këtij shtetasi.
Sapo ka konstatuar se ka qenë i rrethuar nga forcat e Policisë 55-vjeçari, ka hapur disa herë zjarr ndaj punonjësve të Policisë," njoftoi policia.
Pas thirrjeve të njëpasnjëshme të Policisë për t'u dorëzuar, ky shtetas është vetëvrarë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për të kryer veprime të mëtejshme në lidhje me këtë ngjarje.


