PD me 3 grupime, Myzyraj: Deklarata e Gjanës, tronditëse! Nga mbi 100 mijë anëtarë, PD ka 25 mijë. Në ‘25-ën, i bie të mos ketë më anëtarë

Partia Demokratike zyrtare, apo e njohur ndryshe si PD-ja e Lulzim Bashës duket se nuk është aspak e interesuar për fatin e saj dhe të demokratëve të thjeshtë të cilët për të vetmen gjë që bien dakort mes tyre është bashkimi.

Por për njerëzit e mbetur në selinë e marrë me qira duket se Kryesia është më e shqetësuar për fatin e Lulzim bashës i cili pritet të rikthehet në krye të saj pas afro 2 vite nga largimi i tij.

Kjo sepse në PD-në e vulës ka mbetur veç vula, ndaj lufta bëhet për vulën.

Për të kuptuar më shumë se çfarë po ndodh konkretisht në atë që ka mbetur si partia më e madhe e opozitës, gazetari Isa Myzyraj në një intervistë në studion e lajmeve në “Ora News” e cilësoi si tronditëse deklaratën e Jemin Gjanës sot.

“Sot kemi një Parti Demokratike të ndarë në 3 grupime, një i grupimit të Berishës, një tjetër i Bashës dhe një tjetër tashmë i Gazment Bardhit.

Situata sot në atë parti është më e vështirë se sa ishte dy vite më parë pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021.

Dhe kjo dëshmohet nga deklarata e zotit Jemin Gjana sot ku pohoi se në PD e vulës, të shtunën tashmë do të votojnë vetëm 25 mijë anëtarë, një shifër që tregon një rënie drastike krahasuar me zgjedhjet e fundit kur Basha u rizgjodh kryetar në 13 qershor 2021, nga një listë me 75 mijë anëtarë. Por e krahasuar kjo me vitin 2013, kur Lulzim Basha garonte me të ndjerin Sokol Olldashi për kryetar të partisë, kishte gjithsej mbi 100 mijë anëtarë.

Pra me këto ritme i bie që në vitin 2025 kur mbahen zgjedhjet e ardhshme, PD-ja të mos ketë më asnjë anëtar.

Ka një premisë për të marrë PD-në me forcë dhe kjo demonstrohet nga shkarkimi i paligjshëm i Gazment Bardhit dhe kalimin e kompetencave të tij tek Sekretari për Çështjet Ligjore, Indrit Sefa.

Gjithçka filloi kur shtatë deputetë të PD-së që kundërshtojnë rizgjedhjen e Bashës të shtunën i kërkuan Sekretarit të Përgjithshëm, Gazmend Bardhit që të thërrasë Këshillin Kombëtar për të ndalur procesin. Dhe ky i fundit iu përgjigj pozitivisht kësaj kërkese.

Ndërkaq sapo mësoi se grupi i deputetëve që i kanë dalë kundër kërkoi thirrjen e Këshillit Kombëtar për t’ia deligjitimuar garën farsë në 29 Korrik, Lulzim Basha ka bërë një vendim qesharak dhe ia ka hequr vulën nga duart Gazment Bardhit, që de jure është sekretar i përgjithshëm i PD-së së vulës dhe duke ia kaluar Sekretarit Indrit Sefa.

Në këtë kontekst për mua më shumë duket si një hakmarrje ndaj Bardhit dhe grupit të tij, që dolën kundër Lulzim Bashës.

Në fakt askujt nuk i intereson për fatin e demokratëve dhe opozitës, pasi PD-ja po shihet si pronë private e drejtuesve të saj.

Nga ana tjetër unë shikoj se grupi i z. Berisha dhe ai i z.Bardhit janë në sinkron me njëra-tjetrën dhe me shumë gjasë mund të ketë një diskutim mes tyre në gusht për një ribashkim të këtyre dy grupimeve”, u shpreh në analizën e tij, gazetari Isa Myzyraj.

Ndërkaq, Myzyraj theksoi se rezultati në zgjedhjet e Rrogozhinës që u mbajtën të dielën ka qenë jashtë çdo pritshmërie edhe për vetë Partinë Socialiste, ku kandidati i majtë fitoi me mbi 1700 vota diferencë, në një kohë që më 14 maj diferenca ishte me afro 30 vota.

“Edhe pse u regjistrua një pjesëmarrje më e lartë e votuesve se sa më 14 maj, është e paqartë se çfarë ndikoi që u mobilizuan socialistët për të shkjuar tek kutia e votimit”, theksoi gazetari Isa Myzyraj.