Meta takim me Berishën në selinë e PD-së

Rikthehen konsultimet mes Ilir Metës dhe Sali Berishës. Kryetari i Partisë së Lirisë ka mbërritur rreth orës 11 e 20 në selinë blu, ku u takua me kreun e rithemelimit.

Në fakt diskutimet duket sikur vijnë pas një ftohje mes palëve por dhe pas thirrjeve që ata kanë bërë për zhvillimin e protestave në vjeshtë.

Pas qëndrimit rreth një orë me Berishën, Meta ka folur për aksion të përbashkët dhe denoncim të incineratorëve dhe aferave korruptive.

Megjithatë Meta nuk shfaqet i shqetësuar për marrjen në pyetje nga spak të figurave kryesore të Partisë së Lirisë.

Sa i përket thirrjes së Berishës për protesta ai theksoi se ato do të vazhdojnë së bashku me denoncimet.

‘Rruga e protestave është një rrugë e domosdoshme ku e gjithë shoqëria do të shprehë edhe ndjeshmërinë e saj për këtë situatë të kapjes së shtetit dhe të korrupsionit. Vendimi ynë është përshkallëzim i luftës kundër korrupsionit. Vazhdimi pandërprere i angazhimit tonë për te denoncuara aferën e djegëseve dhe vendosjen e përgjegjësve kryesor të kësaj afere para drejtësisë.’- tha Meta

Takimi vjen një ditë pasi kandidati i kolaicionit Bashkë Fitojmë në Rrogozhinë humbi zgjedhjet në garën për kryetar përballë Edison Memollës.