Polemika, skandale e shkarkime, Rama mbledh nesër Asamblenë e PS-së

Të mërkurën Kryesocialisti Edi Rama do të mbledhë për herë të parë për këtë vit asamblenë e Partisë Socialiste.

Takimi vjen pas fitores së thellë në 14 majit  ku mori 54 nga 61 bashki në vend. Fokusi pritet të jetë tek ndarja e detyrave për kryebashkiakët e rinj si dhe drejtuesit e qarkut. Por po ashtu dhe për orientimin e qeverisë dhe projektet që startojnë në shtator.

Thërritja e asamblesë vjen pas përballjes edhe me situata të cilat sollën dhe ndryshime në kabinetin qeveritar.

Ngjarja e rëndë në Krujë, me përfshirjen e ish-deputetit Rrahman Rraja solli dhe shkarkimin e ish-ministrit të brendshëm Bledi Çuçit, i zëvëndësuar nga Taulant Balla. Ky zëvendësim la vakant dhe postin e kreut të grupit parlamentar, ç’ka mund të jetë një nga vendimet e takimti.

Shpallja në kërkim e ish-numrit dy të qeverisë Arben Ahmetajt për aferën e inceneratorëve, ishte një tjetër ngjarje jo në favor të PS.

Në këtë asamble pritet që Kryeministri Rama t’ia bëjë dhe njëherë tjetër të qartë deputetëve, ministrave dhe kryebashkiakëve të tij se Partia Socialiste nuk do të jetë mburojë e tyre.
Sa i përket ndryshimeve në kabinetin qeveritar, Rama ka menduar një tjetër takim të posaçëm vetëm me ministrat e tij. Në datat 28 dhe 29 korrik në Tepelenë, kryeministri do të mbledhë kabinetin e tij në një takim informal.