Sllovaku kapet në pikën kufitare Tre Urat, në Përmet me armë dhe drogë

Policia Kufitare, në bashkëpunim me Policinë vendore, masa të shtuara gjatë sezonit turistik, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Gate”, si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore.

Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë e ftohtë thikë dhe një sasi lënde narkotike kanabis e ndarë në doza.

Arrestohet në flagrancë 35-vjeçari (shtetas sllovak) që tentoi t’i kalonte armët dhe drogën, me automjet, drejt Greqisë.

Shërbimet e Policisë Kufitare Tre Urat, Përmet, në kuadër të masave të shtuara për sezonin turistik dhe të kontrolleve të bazuara në analizën e riskut, për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, në bashkëpunim me autoritetet doganore dhe Sektorin për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Gate”.

Gjatë operacionit, në dalje të RSh-së, është kaluar për kontroll në vijën e dytë, automjeti që drejtohej nga shtetasi Lubomir Durec, 35 vjeç, banues në Sllovaki.

Gjatë kontrollit në këtë automjet dhe kontrollit fizik ndaj drejtuesit, shërbimet e Policisë Kufitare gjetën dhe sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë, një mjet prerës thikë dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, të ndarë në doza.

Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin L. D., 35 vjeç, banues në Sllovaki.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.