Tragjedia në Liqen, kreu i zjarrfikëses së Gramshit zbardh dinamikën: 4 viktimat u mbytën në përpjekje për të shpëtuar njëri-tjetrin. Mos hyni në ujë nëse ...

Liqeni i Banjës i mori pasditen e djeshme një nga një dhe në përpjekje për të shpëtuar njëri-tjetrin katër viktimat, anëtarë të së njëjtës familje: Arben Zogu 46 vjeç  dhe dy djemtë e tij, Ruben dhe Esti Zogu dhe nipi i 46-vjeçarit, Melsi Zogu 20-vjeç.

Polumbarët e forcat e rendit mbërritën pak orë më vonë, ndërsa pas operacionit të nxjerrjes së trupave që zgjati më shumë se një orë e gjysëm, Drejtori i Zjarrëfikësave Gramsh zbardhi dhe dinamikën e ngjarjes.

Drejtori i Zjarrëfikësave Gramsh: Ngjarja është shumë e rëndë. Babai me gjithë dy djemtë e tij erdhën për t’u larë këtu. Kanë tërhequr njëri-tjetrin, është mbytur i pari, ka vajtur për ta ndihmuar i dyti, e kështu me radhë. Të tre të rinjtë nuk kanë ditur not. Edhe i katërti nuk ka ditur not dhe kanë mbytur njëri-tjetrin.

Shkak mendohet se kanë qenë të papriturat e liqenit.

Drejtori i Zjarrëfikësave Gramsh: Këtu fatkeqësisht ka pasur disa gropa që janë bërë në kohën e ndërtimit të HEC-it të Banjës, kanë marrë dhe, e ato gropa janë të menjëhershme, këputen menjëherë dhe ata kur janë futur për t’u larë nuk e kanë ditur dhe kështu kanë tërhequr njëri-tjetrin, duke dashur ta ndihmojnë njëri-tjetrin por nuk kanë arritur dot ta bëjnë.

Ekspertët japin një këshillë për ata që duan të shuajnë zhegun e korrikut në liqen.

Drejtori i Zjarrëfikësave Gramsh: Liqeni nuk është për të vënë tabela informuese, liqeni është i gjithi i thellë dhe kjo gjë dihet dhe këtu nuk duhet të hyjnë njerëzit që nuk dinë not. Ata kanë hyrë dhe fatkeqësisht nuk kanë ditur not. Ne si shërbim zjarrëfikës atrullojmë çdo ditë, edhe dje këtu në këtë vend kemi qenë deri në darkë vonë, se kemi një gomone me të cilën patrullojmë vazhdimisht dhe bëjmë mësime treguese dhe fatkeqësisht sot nuk erdhëm, jo se do t’i shpëtonim, por qëlloi shumë keq për ta dhe familjet e tyre.

Nuk është problemi për të vënë roje, pasi nuk është plazh këtu që të ketë njeri, këtu nuk lahet njeri fare, thjesht ata kanë kanë ardhur, ose për peshk apo ku di unë. Janë larë në një vend ku nuk lahet njeri.

Një mesazh për të gjithë: Një njeri që nuk di not nuk duhet të futet në ujë, sidomos nëpër liqene, pasi liqenet janë shumë të rrezikshëm. Absolutisht jo.