VIDEO + EMRAT/ Arrestohen 2 personat që i vunë flakën 3 makinave dje në Vlorë. Një i tretë në kërkim
Policia e Vlorës ka arritur të vërë në oranga njeriun që i vuri flakën 3 automjeteve në Vlorë, duke rrezikuar edhe të vetëdigjej.
Konkretisht në kuadër të operacionit policor “Triple” u arrestuan në flagrancë shtetasit Julian Çobo dhe Kreshnik Yzeiri, si dhe u shpall në kërkim Elton Lushaj.
Personat në fjalë janë pikasur nga kamerat e sigurisë, ku ata mësohet se ishin nisur nga zona e “Stacionit të Trenit” në lagjen “24 maji” në Vlorë, duke u ndalur më pas në një pikë karburanti ku fillimisht kanë pirë kafe, dhe ndërsa bëheshin gati për t’u larguar kanë mbushur bidona uji gjysmë litroshe me benzinë të cilët i kanë përdorur për t’i vendosur zjarrin automjeteve të parkuara.
Në pamjet e publikuara nga policia shfaqen personat të veshur me bluzën e zezë dhe kapele të bardhë në kokë, ku sa është afruar pranë makinave është maskuar për të humbur gjurmët.
Njoftimi i Policisë Vlorë
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Vlorë, operacioni policor i koduar “Triple”.
Zbardhet brenda 24 orëve, ngjarja e ndodhur mëngjesin e djeshëm në Vlorë, ku u dogjën qëllimisht 3 automjete.
Hetimet e thelluara çuan në identifikimin dhe arrestimin në flagrance të 2 prej autorëve të dyshuar, njëri prej tyre porositësi dhe tjetri zjarrvënësi.
Shpallet në kërkim dhe një bashkëpunëtor i tretë, i cili bashkëpunoi me autorët e vënë në pranga nga Policia, për të siguruar lëndën djegëse.
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Vlorë, të mbështetura nga inteligjenca informative dhe si rezultat i provave të siguruara nga një hetim intensiv, për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në Vlorë, ku u dogjën 3 automjete, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Triple”, në kuadër të të cilit u kryen një sërë veprimesh procedurale, konkretisht:
Shërbimet e Policisë arrestuan në flagrancë shtetasit J. Ç., 32 vjeç dhe K. Y., 40 vjeç, të dy banues në Vlorë.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi E. L., 41 vjeç, banues në Vlorë dhe vijon puna për kapjen e tij.
Nga provat e siguruara si rezultat i hetimit intensiv, brenda 24 orëve është bërë dokumentimi i ngjarjes së ndodhur në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, në lagjen “Pavarësia 3”, ku u dogjën me zjarr 3 automjete, në pronësi të shtetasve A. H., N. H. dhe P. K.
Nga hetimet dyshohet se shtetasi J. Ç. ka bashkëpunuar me 2 shtetasit e tjerë, për djegien e 3 automjeteve, për motive të cilat nuk mund të bëhen me dije duke qenë se hetimi vijon. Shtetasi E. L. ka siguruar lëndën djegëse, ndërsa shtetasi K. Y. ka kryer zjarrvënien.
Strukturat e Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të këtij rasti dhe të rasteve të tjera të shkatërrimit të pronës me zjarr, me qëllim identifikimin dhe vënien në pranga të autorëve përgjegjës për këtë veprimtari kriminale.
Materiale procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.




