Miratohet dorëheqja e rektorit të ASA-s prof. dr. Luan Përzhita, zëvendësohet nga prof. dr. Valter Memisha
Ministria e Arsimit ka miratuar dorëheqjen e rektorit të Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita dhe në vend të tij, ka ngarkuar me ushtrimin e funksioneve të rektorit të ASA-s, zvendësrektorin, prof. dr. Valter Memisha, deri më 31 dhjetor 2023.
Profesor Përzhita e mbajti funksionin e rektorit për gati 2 vjet dhe së fundi kërkoi dorëheqjen për shkak të vendimit të qeverisë për mbylljen e Akademisë së Studimeve Albanologjike.
Për aq kohë sa ishte në krye të kësaj detyre, ish-rektori Përzhita, i dha përparësi hapjes së ASA-s me botën albanologjike në rajon dhe më gjerë në nivel ndërkombëtar.
Përmes njoftimit të ASA-s në rrjetet sociale, prof.dr. Përzhita u shpreh mirënjohjen të gjithë bashkëpunëtorëve të ASA-s brenda dhe jashtë vendit dhe në mënyrë të veçantë, atyre që e kanë mbështetur në rrugëtimin e tij të shkurtër, por intensiv.

