Shtyrja e parapagimit të tatimfitimit, Vjero: Përfitues 387 biznese eksportuese
Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Vasilika Vjero bëri të ditur sot se të dhënat zyrtare tregojnë se eksportet u rritën në sasi me 14 %, gjatë pesëmujorit të parë të vitit, por për shkak të forcimit të lekut në raport me euron, në vlerë ato rezultojnë me rritje vetëm 1 %.
Në këto kushte, sipas Vjeros, qeveria përmes një akti normativ lehtësoi bizneset eksportuese duke ju dhënë atyre mundësinë e shtyrjes së pagesës së kësteve të tatimfitimit në vitin 2024.
Gjatë raportit të ndryshimeve në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, Vjero tha se do të përftojnë vetëm bizneset që zhvillojnë aktivitet në fushën e përpunimit aktiv dhe që gjatë vitit të kaluar kanë pasur qarkullim të eksportit në masën 70 % të vlerës së shitjeve.
“Akti normativ ka për qëllim të lehtësojë eksportuesit që zhvillojnë aktivitetin në fushën e përpunimit aktiv dhe që gjatë vitit të kaluar kanë pasur qarkullim të eksportit në masën 70 % të vlerës së shitjeve nga pagesa e kësteve paraprake të tatimit mbi fitimin”, vuri në dukje ajo.
Për shkak të rënies së euros në raport me monedhën vendase në nivelet më të ulëta historike, janë dëmtuar bizneset eksportuese, të cilat po përballen me rënie të të ardhurave si pasojë e kursit të këmbimit.
Të dhënat flasin për një forcim të ndjeshëm të monedhës vendase. Nga 118 .9 lekë mesatarisht që këmbehej një euro gjatë vitit të kaluar, në muajin maj kemi një kurs këmbimi mesatar 111 lekë për 1 euro.
Kjo gjë, sipas zv/ministres Vjero, është reflektuar edhe në shifrat e aktivitetit ekonomik, kryesisht të eksportueve.
“Ky akt normativ do t’u vijë në ndihmë rreth 387 subjekteve eksportuese, ku volumi i shitjeve është mbi 70 %, që shkon i gjithi për eksport. Behet fjalë për një shumë të munguar, pra që nuk do të paguhet gjatë këtij viti në masën 617 milionë lekë të ardhura nga këstet e tatimfitimit që do të transferohen vitin e ardhshëm.
Të dhënat do të rakordohen me mbylljen e pasqyrave financiare dhe deklaratën e re të tatimfitimit për vitin 2023 që do të shfaqet në fund të tremujorit të parë të vitit 2024. Pra kemi të bëjmë thjeshtë me një mundësi për të paguar gjatë vitit të ardhshëm, në bazë të volumit të aktiviteti të tatimit mbi fitimin, pra një mundësi në kohë për këta tatimpagues”, deklaroi Vjero.



