Me 50 lekë shitet në treg, kultivuesit e shalqirit të frikësuar se mos ulet çmimi: Kemi mbjellë më pak, ndaj është ky çmim

Pavarësisht se jemi në mesin e muajit korrik, dhe shalqini si kurrë më parë shitet në dyqan deri në 50 lekë për kilogram, kultivuesit e këtij fruti janë të shqetësuar për produktet e tyre.

Sipas fermerëve, shalqiri aktualisht në treg është 30 lekë për kilogram, por mungesa e një çmimi të përcaktuar, mund sjellë rënie të ndjeshme të çmimit, ashtu siç edhe ka ndodhur në vitet e kaluara.

“Prodhim kishim por jo çmim. Për pasojë dolëm piramidë. Një pikë grumbullimi nuk e kemi, dhe ngelëm në mes të katër rrugëve dhe u prish çdo gjë. Kurse sivjet mbollëm pak dhe eci në treg. Çmimi deri tani është 300 lekë të vjetra, por kemi frikë se mos do bjerë”, shprehet fermeri.

Fermerët thonë se nuk kanë pasur asnjë mbështetje nga politikat bujqësore, ndaj sipërfaqet e mbjella me shalqi, nga viti në vit kanë pësuar një ulje të ndjeshme.

“Më përpara është mbjellur shumë, por është shitur pak. Kurse këtë vit mbollëm më pak”, thotë fermeri.

“Nuk kam parë njeri të na mbështesë, pasi çdo gjë dihet varet nga shteti. Po nuk ishte ndihma aty ne nuk bëjmë dot asgjë”, shprehet një tjetër kultivues.

Por jo vetëm kjo, shqetësim tjetër për fermerët, janë edhe pikat e grumbullimit.

“Ne nuk kemi një pikë grumbullimi këtu, por e kemi shumë larg, dhe natyrisht transportimi bëhet me shpenzimet tona. Po ta kishim këtu, do ishim në rregull”, thotë fermeri.

Zona e Kallmit të Fierit zë rreth 70 përqind të tokës bujqësore për kultivimin e shalqirit, dhe prodhimi i kësaj zone njihet gjerësisht për cilësinë e shalqirit që prodhohet në vendin tonë.