Parakalim i gabuar, 28 vjeçari në Vaun e Dejës merr automatikun për të "zgjidhur" konfliktin
Një ngjarje e rëndë është parandaluar në Malësinë e Madhe. Gjithçka ka nisur pas një sherri për parakalim të gabuar, duke nxitur debat mes dy të rinjve.
U shpall në kërkim shtetasi Mark Preka për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit.
"Pas një konflikti të çastit për parakalim të gabuar me automjet, midis shtetasve M. P., 28 vjeç dhe A. Gj., 23 vjeç, shtetasi M. P. është larguar dhe ka marrë armën e zjarrit tip automatik që mbante me vete.
Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës ka parandaluar përshkallëzimin e konfliktit midis këtyre dy shtetasve. Gjatë ndjekjes nga Policia, shtetasi M. P. ka hedhur armën e zjarrit dhe është larguar.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, ka nisur procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, për shtetasit A. H., 21 vjeç, K. Sh., 19 vjeç, R. H., 30 vjeç dhe Xh. H., 25 vjeç, të gjithë banues në fshatin Barbullush, Vau i Dejës, pasi kanë tentuar të fshehin armën e zjarrit që mbante shtetasi M. P.," njoftoi policia.
Vijon puna për kapjen e shtetasit M. P.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.