Njihuni me "Libri i jetës", dy baballarët i kushtojnë bijave të tyre librin me 7 etapat e rëndësishme të jetës

Një udhëtim poetik dygjuhësor, shqip dhe anglisht nëpër shtigjet e jetës. Një punë plot përkushtim e dashuri e dy baballarëve për bijat e tyre por "Libri i jetës" nuk njeh moshë dhe mund të lexohet nga çdo fëmijë e i rritur.

Dy autorët, Edpidamn Zeqo dhe Oltsen Gripshi që ka realizuar ilustrimet përcjellin mësime të vlefshme për 7 etapa të rëndësishme të jetës, përmes vargut me rimë dhe vizatimeve plot ngjyra e gjallëri.

Publikuar nga instituti Moikom Zeqo botimet "Amor Mundi Anima", libri dhe protagonistët e saj mund të lexohen si një udhërrëfyes jete, vlerave të saj, ndjenjave dhe lidhjeve emocionale, për të kuptuar se çfarë është vërtetë e rëndësishme për ne.

"Mesazhi është qe 7 vendimet bëjnë jetën është diçka që dhe babai im gjithmonë thonte gjithmonë se pak vendime bëjnë jetën, pak janë ato evenimente në jetë që përbëjnë rëndësi. Ishte dhe një këngë e një grupi amerikan atëherë që quhej "The strokes". Ato kishin 10 vendime që përcaktojnë jetën dhe unë duke menduar mirë këtë çështje dhe duke parë se cilat ishin vendimet më të rëndësishme në jetë, del që është lindja, kur shkon në shkollë, puna, aktivizmi, martesa, vendimi për të bërë fëmijë, dhe faza e fundit fjetja e gjatë apo ikja fizike nga kjo botë," tha ai.

Por Ky libër merr edhe më shumë kuptim falë ilustrimeve të Oltsen Gripshit  i cili ka ditur të përkthejë fjalët dhe mendimet në imazhe. Ështq monologu i një fëmije, brenda të cilit të dy përballen me disa realitete me një proces rritjeje dhe zhvillimi të pandalshëm.

"Unë në karrierën time merrem krejt me një gjë tjetër. Është hera e parë që merrem me një libër në shqip të ilustruar. Ndonëse kam ilustruar vite më parë por në jetën time universitare jashtë vendit. Ishte një sfidë e madhe për të bërë një libër të tillë, i cili ishte i personalizuar por dhe universal në mesazhet që përcjell. Nisa të ilustroja vajzën time. Është portreti i vajzës dhe guxova. Me Pidamin kisha këtë hezitimin tja tregoja këto imazhe pasi isnte një personalizim që ai kishte nisur tashmë me vajzën e tij dhe tha: Për mua është shumë mirë. Fillojmë punën për ta përfunduar këtë libër i cili zgjati për dy vite. Ajo që e bën më të veçantë librin nuk është vetëm dygjuhëshi por të rrugëtosh mes peizazheve të Shqipërisë," tha ai.