Ahmetaj do të arrestohet! PS dhe PD pro autorizimit, të hënën seanca e posaçme

PS dhe PD kanë gjetur dakordësinë sa i përket miratimit të kërkesës për arrestimin e ish zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. Ajo që ka ndarë palët ishte séance se kur do të votohet për të cilën socialistët kërkojnë të hënën. Në deklaratat për mediat mazhoranca shpreh edhe rezerva, por pavarësisht kësaj shton se duhet ti hapet rruga drejtësisë. Nga ana tjetër opozita paralajmëron se do të kërkojë që votimi të bëhet që nesër.

Vendimi nëse do të lejohet ose jo arrestimi i Arben Ahmetajt do të merret të hënën në një seancë të posaçme.

Këshilli i Mandateve i përbërë me 15 anëtarë për më shumë se dy orë diskutoi mbi dosjen, ndërsa nuk arriti në konsensus sa i përket datës së votimit. Opozita kërkoi zhvillimin e votimit këtë të enjte duke i dhënë të drejtë kërkesës së SPAK, edhe për kontrollin e banesave të ish zëvendëskryeministrit. Madje për këtë Gazmend Bardhi paraqiti edhe një raport me 12 faqe. Shtyrja e seancës u konsiderua për ti lënë më shumë kohë Ahmetajt të largohet.

"Nesër që me mëngjes do të depozitojmë një kërkesë për ndryshimin e rendit të ditës të seancës që Prokurorisë ti hapet rruga për të vepruar menjëherë. Çdo vonesë është në dëm të drejtësisë. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë dhe nesër për të mos lënë asnjë mundësi spekulimi dhe asnjë mundësi për të pasur kohë në kushtet kur kemi të bëjmë me kushtet kur personi nën hetim nuk është në Shqipëri," tha ai.

Edhe socialistët nga ana e tyre prezantuan gjetjet e pavarësisht argumenteve me rezervë mbështetën thirrjen e prokurorisë së posaçme.

"Ne si mazhorancë do të përgatisim raportin tonë të cilin deri në 12:00 të ditës së premte duhet tja opdrëzojmë kryetares së Kuvendit që pastaj do ti kalojë seancës plenare. Ditën e hënë në orën 17:00 u diskutua dhe kryetarja do të gjykojë se kur do të vendosë.

Ne kemi qëndrimin tonë për të mos bërë avokatin e askujt," tha ai.

Në mbledhjen me dyer të mbyllura ishin avokatët e Ahmetajt që kërkuan më shumë kohë, e pas gjetjes së kundërshtisë nga deputetët, kërkuan që të mos jepej e drejta për arrestimin. Në daljen për mediat ata shtuan se në dosjen prej 360 faqesh kishte vetëm aludime.

"Janë të gjtiha hamendësime, nuk ka asgjë të provuar. Nuk ka asnjë fshehje të pasurisë, nuk ka asnjë akt korruptiv," tha ai.

Sa i përket vendndodhjes së Ahmetajt avokatët konfirmuan se ai është jashtë Shqipërisë, por nuk dhanë garanci nëse ai do të kthehet apo jo kur të miratohet kërkesa për arrestin.

"Zoti Ahmetaj ka nisur përballjen me drejtësinë. Është e drejta e vetë nëse do vijë në Shqipëri apo jo," tha ai.

Në bazë të rregullores së Kuvendit nëse deputeti i akuzuar do të pranojë të jetë në seancë do të ketë të drejtën të flas i pari, e më tej i hapet rruga votimit të raporteve.