Komisioni i Ekonomisë miraton pr/ligjin për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje

Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi pr/ligjin “Për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim social, si dhe zbutjen e pasojave sociale te shkaktuara”.

Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, Endrit Yzeiri bëri të ditur se pr/ligji synon rregullimin dhe zbutjen e pasojave sociale e urbane, të shkaktuara nga ndërtimet për qëllim fitimi në kundërshtim me ligjin për të tretët që, në mirëbesim, i cenohen interesat pasurore nga konfiskimi i objekteve për qëllime fitimi të ndërtuara pa leje apo në tejkalim të lejes së ndërtimit, si dhe të komunitetit në përgjithësi.

Po ashtu, ai theksoi se pr/ligji përcakton rregullat për miradministrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje për qëllim fitimi, duke synuar rritjen e vlerës së tyre me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim.

Por deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi se kohët e fundit diskutohet se po hartohen ligje që mbrojnë interesa private e që madje shkruhen në zyra biznesesh.

Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e Kryeministrisë, Elira Kokona hodhi poshtë akuzat e deputetes së PD-së, Tabaku se interesat që mbron ligji janë interesat privat.

“Në këtë pr/ligj kanë punuar persona të 10 institucioneve shtetërore. Ky projektligj është hartuar në godinën e ministrisë së Financave, Drejtësisë, MIE-s, në Kryeministri, në godina publike. Janë njerëz që kanë harxhuar kohë dhe dije dhe aftësitë e tyre në dispozicion të funksionit të tyre publik”, tha Kokona.

Kokona garantoi se ky projektligj dukshëm nuk mbron interesin privat dhe nuk ka marrë për bazë interesin e askujt.

“Ky debat ndodhi dhe para pak kohësh në Gjykatën Kushtetuese, ku një grup i caktuar deputetësh mbrojtën interesat e disa personave privat, pasi objektet e tyre ishin konfiskuar. Ashtu siç grupit të deputetëve, përfshirë edhe zonjën Tabaku, që ishin firmëtar të asaj nisme besoj nuk i ka pëlqyer ky koment, ashtu mendoj se nuk duhen përdorur komente të tilla për të stigmatizuar persona që punojnë ndershmërisht. Nëse nuk punojnë ndershmërisht akuza të tilla kanë vend tjetër”, shtoi Kokona.

Kokona bëri të ditur se ligji synon të plotësojë një vakuum ligjor për ato objekte që konfiskohen, pasi janë ndërtuar në tejkalim të lejes.

“Ky ligj i referohet një hallke të zhvillimit të territorit, pasi janë konfiskuar nga autoritet objekte të përfunduara apo jo. Ne të gjithë jemi dëshmitarë të një serie të caktuar vitesh kur godina të tëra mbinin si kërpudha dhe mbeteshin si të tilla pa zhvillim. Për këtë arsye godinat që janë të pamundura të prishen, sepse opsioni i parë është prishja dhe kthimi në gjendjen e mëparshme, duhet të përputhen edhe rregullohen në funksionin e tyre dhe pamjen, në mënyrë që peizazhi të ketë një qëllim të caktuar brenda planifikimit të territorit”, tha ajo.

Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Risena Xhaja bëri të ditur se aktualisht janë 25 objekte të konfiskuara në të gjithë vendin, nga të cilat 13 objekte kanë kaluar mbi 10 % të ndërtimit, që do të thotë janë konfiskuar në total, 4 objekte janë pa leje ndërtimi, dhe 7 objekte janë me 90 % të ndërtimit pa leje.

Sipas saj, aktualisht janë vetëm 9 kërkesa për parablerje dhe fondi i mbledhur për këtë parablerja është 15 milionë euro.

Objektivat konkretë që synohen të arrihen me miratimin e këtij projektligji, janë garantimi i zhvillimit të qëndrueshëm të territorit, përmirësimi i procedurave të planifikimit dhe të ndërtimit, krijimi i mekanizmave ligjorë për të menaxhuar në mënyrë efektive pasuritë e konfiskuara, përmirësimi i kuadrit rregullator dhe masave ndaluese për ndërtimet pa leje, zbutja e pasojave sociale dhe urbane të shkaktuara nga ndërtimet pa leje, ose në tejkalim të lejes së ndërtimit, për qëllim fitimi, si dhe krijimi i një fondi financiar publik me qëllim mbështetjen e politikave kombëtare të kontrolluara të territorit.