"Ligjet" miratojnë aktin normativ: Shtyhet afati i kësteve të tatim fitimit për eksportuesit
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, miratoi sot aktin normativ të qeverisë, i cili i vjen në ndihmë eksportuesve. Nisma vjen si pasojë e rënies së euros, që ka shkaktuar humbje të paparashikuara në aktivitetin ekonomik të eksportuesve.
Vasilika Vjero, Zv/Ministër i Ekonomisë dhe Financave, duke prezantuar aktin normativ të miratuar nga qeveria në 7 qershor, u shpreh se parashikohet që eksportuesit, ta paguajnë në një moment të dytë tatimin mbi fitimin.
“Lehtësimi synon shtyrjen në kohë të pagesës së tatimit mbi fitimin të vitit 2022, që paguhet në formë parapagimi në vitin 2023, sipas pasqyrave financiare të fundit të vitit, kur bëhet dhe një rillogaritje e pagesës. Nga pikëpamja e të ardhurave, jemi kujdesur të mos kemi efekte negative”,- tha Vjero.
“Në fakt këstet e parapagimit që këto subjekte do të duhet të paguajnë deri në fund të këtij viti, pra muajin Qershor, Shtator dhe Dhjetor, janë në masën 617 milion lekë. Numri i bizneseve që do të përfitojnë nga kjo lehtësi është 387. Parashikohet vetëm shtyje e afatit të pagesës, nuk bëhet fjalë që kjo shumë 617 milion t’ju falet, pasi subjektet s’do ta paguajnë gjatë këtij viti, por do ta paguajnë gjatë 3 mujorit të parë të vitit të ardhshëm, kur dhe do të mbyllin bilancin e aktivitetit të tyre. Janë pra 387 subjekte përfituese me një shumë totale 617 milionë lekë e cila do të jetë një e ardhur e munguar gjatë këtij viti në buxhet, por që deri më tash është e kompensuar me të ardhurat që kemi marrë nga tatimit mbi fitimin, por dhe nga të ardhurat, e performanca shumë e mirë që ka administrata tatimore dhe doganore”,- tha Vjero.
Deputeti i Opozitës, Oerd Bylykbashi, ngriti akuza ndaj qeverisë për rritjen e euros. Ndaj këtyre akuzave u përgjigj me ironi Deputeti i Partisë Socialiste, Xhemal Qefaliaj.
“Të gjithë e dimë tashmë që kursi i rënies së euros lidhet me periudhën zgjedhore. Në periudhën zgjedhore, pati një rënie gropë të euros. Kjo do të thotë që përdorimi parasë së pistë në procesin zgjedhor është skandaloz. Dhe, kjo është e vërtetuar me cikle, sa herë ka zgjedhje. Fakti që ka një kohë të gjatë, do të thotë që paraja e pisët vjen nga edhe nga trafiqet e drogës”,- tha Bylykbashi.
“Euro ka nisur rënien shumë muaj para fushatës. Z. Bylykbashi ndoshta ka parasysh zgjedhjen e z. Basha, e ndoshta kjo e ka çuar euron në pikiatë”, tha Qefaliaj. Në fund, Komisioni i Ligjeve miratoi aktin normativ, i cili pritet të miratohet në Seancë plenare javën e ardhshme.
