Dhjetra të arrestuar ndërsa izraelitët protestojnë kundër reformave në drejtësi

Dhjetra izraelitë u arrestuan sot gjatë një proteste mbarëkombëtare kundër reformës së planifikuar të qeverisë në drejtësi.

Parlamenti izraelit votoi sot në mëngjes për të miratuar projektligjin, i cili sipas kritikëve do të dëmtojë pavarësinë e gjyqësorit dhe demokracinë.

Disa orë më vonë, dhjetëra mijëra izraelitë dolën në rrugë për të demonstruar kundër koalicionit fetar të krahut të djathtë. Ata bllokuan rrugët, duke valëvitur flamuj kombëtarë dhe tabela ku shkruhej: “Duhet të ndalojmë shkatërrimin e demokracisë”.

Policia përdori topa uji dhe oficerë me kalë për të shpërndarë turmat në të gjithë vendin. Sipas pamjeve të transmetuara, ka pasur dhunë sporadike mes policisë dhe protestuesve.

Një zëdhënës i policisë tha se 66 persona ishin arrestuar, gjysma e tyre në qytetin bregdetar të Tel Avivit. Protesta të mëdha u zhvilluan edhe në Jerusalem dhe Haifa.

Por, qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu refuzon të tërhiqet pavarësisht se vendi po përjeton protestat më të mëdha në historinë e shtetit hebre, një vend me rreth 9,4 milionë banorë.

Javën e kaluar, shefi i policisë së Tel Avivit dha dorëheqjen sepse refuzoi të godiste demonstruesit. “Unë po paguaj çmimin për përpjekjet për të shmangur një luftë civile”, tha ai.

Presidenti izraelit, Isaac Herzog u bëri thirrje të gjitha palëve që të shmangin përshkallëzimin dhe t’i kthehen dialogut.  “Ne jemi në kulmin e një krize të thellë dhe shqetësuese”, tha ai.

Politikani opozitar Benny Gantz i bëri thirrje policisë të tregojë vetëpërmbajtje. “Ju nuk mund të përdorni dhunë ndaj qytetarëve”, tha ai.

Jashtë selisë së Konfederatës së Sindikatave në Tel Aviv, turmat bënë thirrje për një grevë të përgjithshme. Mijëra izraelitë u mblodhën në aeroportin ndërkombëtar “Ben Gurion” pranë Tel Avivit për një tubim masiv.

Raportet e medieve thanë se zona e caktuar për protestën ishte shumë e vogël për numrin e madh të protestuesve Disa kompani në sektorin e teknologjisë, që konsiderohen si forca lëvizëse e ekonomisë së Izraelit, njoftuan se do të lejonin punonjësit e tyre për demonstratat.

Për më shumë se gjysmë viti, reformat e planifikuara të qeverisë në drejtësi, kanë ndarë pjesë të mëdha të shoqërisë izraelite dhe kanë provokuar protesta të përsëritura.

Qeveria akuzon gjyqtarët për ndërhyrje të tepërt në vendimet politike.

Ligji i ri do ta bënte të pamundur që Gjykata e Lartë të gjykonte një vendim të qeverisë si “të paarsyeshëm”. Përpara se amendamenti të hyjë në fuqi, janë planifikuar disa propozime shtesë për reformën në drejtësi.