Shqipëria me rrjet gazifikimi: Brenda vitit përfundon studimi i fizibilitetit, nisim menjëherë
Përgjatë vitit të ardhshëm pritet që në Shqipëri të nisin punimet për rrjetin e gazfikimit. Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev ka bërë me dije se investimi do të nisë menjëherë pas përfundimit të fizibilitetit, që parashikohet të mbyllet brenda vitit. Teksa ka vlerësuar bashkëpunimin mes dy vendeve, presidenti Begaj ka njoftuar avancim të bisedimeve për heqjen e vizave
Shqipëria nuk do tëjetë thjehtë një vend tranzit për gazin që vjen nga Azerbajxhani, por së shpejti do të ketë edhe një rrjet shpërndarje brenda territorit.
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev në konferencën e përbashkët me homologun shqiptar, Bajram Begaj deklaroi se së shpejti fillon edhe investimi për ndërtimin e projektit pilot.
“Është përzgjedhur një projekt-pilot. Gjithçka po shkon sipas planifikimit dhe në fund të vitit do të kemi një studim fizibiliteti në lidhje me këtë dhe mendoj se pas kësaj shpresoj do të fillojmë menjëherë investimin në Shqipëri për të ndërtuar një rrjet të shpërndarjes së gazit”, tha Aliyev.
Ndërsa Presidenti shqiptar vlerëson se Gazsjellësi Adriatiko-Jonian, pas TAP-it do të kontribuojë akoma më shumë në rolin e Shqipërisë si shpërndarëse e gazit në rajon.
Heqja e vizave mes dy vendeve shikohet si hapi i radhës i bashkëpunimit mes dy vendeve.
Siç e përmenda, Presidenti Aliyev është një njeri që i përmbush premtimet në realitet dhe sot më tha se heqja e vizave do të realizohet shumë shpejt”
Duke vlerësuar bashkëpunimin e mirë mes dy vendeve, gjatë konferencës së përbashkët, Aliyev u shpreh mirënjohës për përkrahjen e Shqipërisë në organizatat ku Azerbajxhani nuk është i pranishëm, gjithashtu edhe për hapjen e ambasadës në Tiranë.
