Spanja merr presidenën e BE-së në prag të zgjedhjeve evropiane

Spanja mori dje presidencën e radhës të BE-së, një rol i ngarkuar me gjetjen e konsensusit midis 27 shteteve të bllokut për çështje si migrimi në Evropë, reformimi i rregullave të borxhit të BE-së dhe reduktimi i varësive ekonomike.

Por, zgjedhjet e parakohshme në Spanjë mund të pengojnë punën e Madridit.

Presidenca e Spanjës në BE, të cilën e mori nga Suedia më 1 korrik, vjen në kohë krize. Për më tepër, do të jetë presidenca e fundit e plotë përpara zgjedhjeve evropiane në pranverën e vitit 2024, një kohë që zakonisht përdoret për të mbyllur shumë çështje përpara zgjedhjeve.

Ndërsa Spanja përballet me zgjedhje të parakohshme më 23 korrik, me sondazhe që sugjerojnë një qeveri të mundshme të krahut të djathtë, lind pyetja se si kjo mund të ndikojë në politikëbërjen në Bruksel në gjysmën e dytë të 2023.

Riindustrializimi, tranzicioni i gjelbër, forcimi i drejtësisë sociale dhe uniteti i BE-së janë katër prioritetet në axhendën e presidencës spanjolle.

“Ne do të promovojmë riindustrializimin dhe dixhitalizimin e Evropës. Ne do të bëjmë përparim vendimtar në tranzicionin ekologjik. Ne do ta bëjmë ekonominë më të begatë, por edhe më të drejtë dhe do të forcojmë unitetin evropian me mjete të reja dhe marrëveshje të reja”, tha kryeministri spanjoll Pedro Sánchez javën e kaluar në Madrid.

Përveç katër prioriteteve, Sánchez tha se shpresonte të mbyllte Paktin e Ri të Bashkimit Evropian për Migracionin dhe Azilin. 27 shtetet anëtare dhe Parlamenti Evropian tani duhet të arrijnë një konsensus, të cilin Spanja e kishte mbrojtur për të arritur zhvendosjen e emigrantëve.

“Ne kemi thënë gjithmonë se BE-ja nuk mund të ndahet, të gjithë jemi viktima të këtyre krizave. Spanja ka thënë gjithmonë se duhet të forcojmë dimensionin e jashtëm të fenomenit, të forcojmë bashkëpunimin me vendet e tranzitit dhe të origjinës”, përfundoi Sánchez.

Sánchez tha se Spanja do të përpiqet të propozojë një taksë minimale të korporatave në të gjithë BE-në në mënyrë që t’i japë fund “një herë e mirë evazionit fiskal nga pasuritë e mëdha dhe korporatat e mëdha”.

Sipas kryeministrit të Spanjës, evazioni fiskal i kushton BE-së 1,5 pikë përqindje të PBB-së vjetore, e njëjta shumë, tha ai, që investohet në banesat e subvencionuara dhe mjedisin.

Tema të tjera kyçe për presidencën e Spanjës në BE do të jenë reforma e tregut të energjisë, rishikimi i rregullave fiskale të bllokut në Paktin e Stabilitetit dhe Rritjes dhe mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën.