Qeveria polake rrit sigurinë në kufirin me Bjellorusinë në përgjigje të "Wagner"
Polonia do të vendosë oficerë të tjerë policie në kufirin e saj me Bjellorusinë për të rritur sigurinë, në përgjigje të planeve të grupit mercenar “Wagner” për të ngritur bazën atje, tha sot ministri i Brendshëm, Mariusz Kaminski.
“Do të vendosen 500 policë shtesë, duke përfshirë anëtarë të njësisë kundër terrorizmit, të cilët do të mbështesin 5 000 roje kufitare dhe 2 000 ushtarë të vendosur tashmë përgjatë kufirit me fqinjin lindor të vendit’, shtoi ai.
Zëvendëskryeministri Jaroslaw Kaczynski, i cili është përgjegjës për çështjet e sigurisë, njoftoi së fundmi se personeli ushtarak do të rritet dhe fortifikimet kufitare do të forcohen.
Sipas Kaczynski, Polonia ka mësuar se në Bjellorusi mund të strehohen deri në 8 000 luftëtarë “Wagner”. Polonia ndan një kufi prej 418 kilometrash me aleatin rus.
Pas rebelimit të dështuar fundjavën e kaluar, shefi i grupit “Wagner”, Yevgeni Prigozhin u largua në Bjellorusi, pas ndërmjetësimit të liderit bjellorus, Alexander Lukashenko, i cili i ofroi atij dhe forcës së tij mercenare një strehë të sigurt.
Javën e kaluar, trupat e “Wagner” pushtuan një qytet jugor rus më pas u nisën për në Moskë, pasi Prigozhin akuzoi ministrin rus të Mbrojtjes Shoigu dhe gjeneralin e lartë Valery Gerasimov për paaftësi dhe fajtorë për dështimet ruse në fushën e betejës në Ukrainë.
Rebelimi i shkurtër dhe fundi i papritur la shumë analistë në mëdyshje mbi situatën në Rusi, ndërkohë që rriti shqetësimet e sigurisë në vendet fqinje të BE-së me Bjellorusinë, përkatësisht Poloninë, Letoninë dhe Lituaninë, që janë gjithashtu pjesë e NATO-s.
