“Transferimi, çështje orësh”, Maluda: Mbape do vetëm Realin. Arsenali në garë me kohën për mbrojtësin e Ajaksit

Arsenali ka arritur një marrëveshje verbale me klubin e Ajaksit për nënshkrimin e mbrojtësit Jurrien Timber. Lajmin e konfirmon gazeta holandeze “De Telegraaf”.

“Topçinjtë” do të paguajnë 36.2 milionë paund si shifër fillestare dhe 4.3 milionë të tjera do të jenë bonuse.

Me mbrojtësin akordi personal është arritur prej kohësh, por Ajaksi kishte refuzuar një ofertë të parë prej 30 milionë paundësh duke pretenduar dhe 20 milionë të tjera.

Ata kanë arritur akordin me Uest Hemin edhe për transferimin e Deklan Rajsit, por nuk janë përcaktuar ende modalitetet e pagesës së 105 milionë paundëve.

Por merkato sapo ka nisur.

Florent Maluda, një prej lojtarëve të brezit të artë të Francës,  ka deklaruar se Mbape mund të kalojë te Reali i Madritit.

43-vjeçari, i cili në të kaluarën ka luajtur me Çelsin dhe fitoi Champions-in me blutë e Londrës, punoi nën rrogoz për të provuar ta bindë Kilië Mbapenë të transferohej në “Stamford Bridge”, por tani më shumë se kurrë, Florent Maluda është i bindur për ndryshimin.

“Kilian Mbape do vetëm Realin e Madridit dhe transferimi tek ata është vetëm çështje orësh. Më në fund, Mbape është bindur se të luash për Realin është një tjetër planet. Jo për prestigj, por të të nxjerrë në pah cilësitë e tua në klubin më të madh të botës dhe të lësh gjurmën në historinë e tyre.

Madje, jam i bindur që Kilië e do Realin jo për para, sepse ato i ka me bollëk në Paris, por i ka ardhur ora të kërkojë madhështinë, të provojë sukseset e vërteta që ofron futbolli”, deklaron ish-mesfushori.