Kontrolle smart për qarkullimin rrugor, Gonxhja: 392 mjete debitore, mos lëvizni pa kolaudim e siguracion!

Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit rrugor, Bledi Gonxhja, u bën apel drejtuesve të mjeteve motorike të mos qarkullojnë pa kolaudim, pa paguar siguracionin dhe pa shlyer taksat.

Në një reagim në rrjetet sociale, Gonxhja bënë të ditur se po zhvillohen kontrolle intensive në Tiranë përmes sistemeve inteligjente të skanimit të targave, çka ndihmon në konstatimin e mjeteve motorike në të cilat lëvizja bëhet pa kolaudim, pa siguracionin apo pa paguar taksat.

“Vetëm brenda një turni ditor monitorues në Tiranë (Qendër-Kinostudio, Unaza e Madhe, Unaza e Vogël, Komuna e Parisit, Selitë), nga 3362 targa të skanuara, Makina Inteligjente e DPSHTTR ka zbuluar 392 targa të mjeteve debitore, në qarkullim me taksa të papaguara, ose 11.6 % me detyrime të pashlyera”, thekson Gonxhja.

Ai bëri me dije po ashtu se kontrollet po zhvillohen me sisteme smart, për automatizim të monitorimit rrugor në lëvizje me teknologjinë më të re amerikane.

“Parregullsitë në dokumentacionin e mjeteve rrugore sjellin pasoja të rënda për sigurinë publike, mjete të pakontrolluara teknikisht, evazion fiskal, pabarazi, minim të sigurisë rrugore, mosmbulim dëmesh nga aksidentet, dëm ekonomik e varfërim të arkës vendore e qendrore, paligjshmëri e shmangie detyrimesh!”, sqaron më tej Goxhe.

Ai thekson se, “qëllimi kryesor i projektit është evidentimi i situatës reale mbi mjetet rrugore që qarkullojnë në kundërshtim me rregullat, mjetet që duhet të ishin çregjistruar dhe nuk kanë kthyer targat (amnistitë e mëparshme fiskale), që kryejnë informalitet në transportin rrugor të mallrave ose udhëtarëve (pa licensa/jashtë afateve apo linjave të caktuara), analizimi në funksion të masave dhe raportimi i menjëhershëm në organet e kontrollit rrugor (Polici Rrugore, Polici Bashkiake dhe Taskforca e Transportit Rrugor) paralel me informimin e qytetarit/subjektit posedues të mjetit rrugor përmes platformave online! Synim urgjent është ndërgjegjësimi publik mbi përgjegjësitë e detyrimet periodike që burojnë nga posedimi/përdorimi i mjetit rrugor dhe rritja e besimit të publikut tek shërbimet e transportit rrugor, duke ngushtuar lakun ndaj abuzivizmit dhe pandëshkueshmërisë së spekulantëve”, nënvizon kreu i DPSHTRR, Blendi Gonxhja.

Investimi përfshin pajisje të konceptuara për të lexuar targat e mjeteve në qëndrim ose në lëvizje me të dhëna si data, ora dhe koordinata të vendndodhjes, integruar me pajisje mobile, të cilat përmes programeve të instaluara do të bëjnë të mundur zbulimin në kohë reale të pamjes dhe të dhënave mbi mjetin, në standarde të certifikuara sigurie.